Një operacion i përbashkët mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë ka shkatërruar 4 grupe kriminale që trafikonin klandestinë nga vendet e Lindjes së Mesme me destinacion vendet e Bashkimit Europian.
25 urdhër-arreste janë lëshuar në total nga autoritetet ligjzbatuese të tre vendeve. Operacioni u zhvillua njëkohësisht në e shtetet pjesë të skuadrës dhe në disa shtete të tjera.
Në një njoftim për mediat, SPAK bën me dije se gjatë hetimeve është dokumentuar fakti se pjestarët e 4 grupeve kriminale ushtronin në bashkëpunim ndërmjet tyre aktivitetin kriminal (2 grupe në Itali, 1 grup në Shqipëri dhe 1 grup në Turqi) të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim vende të tjera të BE-së.
Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale pasi siguronin persona të ndryshëm kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera kundrejt një shpërblimi monetar nga 5 000 deri në 10 000 Euro, i kontrabandonin në rrugë tokësore dhe detare, duke ju mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin me destinacion përfundimtar vendet e BE-së. Nga hetimi i përbashkët i kryer janë dokumentuar 30 episode kontrabandimi të 1 120 emigrantëve.
Nga hetimet e kryera në Shqipëri nga SPAK në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe agjensitë e tjera ligjzbatuese janë dokumentuar 7 episode kontrabandimi të personave nga Lindja e Mesme, të kryera ne Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Sarandë.
Janë kapur në flagrancë edhe personat e kontrabanduar për të kaluar kufijtë shtetërorë në mënyrë të paligjshme, si dhe është dokumentuar aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar. Gjithashtu janë sekuestruar mjete lundruese (skafe), një anije velierë, automjete, si dhe sende të ndryshme, të cilat shërbenin për kontrabandimin e personave në rrugë tokësore dhe nëpërmjet detit.
Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin për caktim masash sigurimi të dhënë nga Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është urdhëruar arrestimi i 25 personave, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, nga të cilët 18 janë shtetas shqiptarë dhe 7 shtetas të huaj (palestinez, irakian, iranianë, egjiptianë dhe turq).