Emre Can zbulon Juventusin e ri

Më të fundit


Edhe pse e ardhmja e tij mund të jetë larg Juventusit, mesfushori gjerman Emre Can beson se do të jetë pjesë e ekipit të ri të drejtuar nga trajneri Maurizio Sarri. Skuadra është rikthyer sot nga turneu aziatik dhe mesfushori jep përshtypjet e para të punës së kryer aty.

 “Deri më tani gjithçka shkoi mirë. Natyrisht ka shumë gjëra të reja, pasi kemi një trajner të ri, lojtarë të rinj. Ne duhet të jemi në dispozicion të trajnerit, për t’u adaptuar me stilin e tij të lojës. Seria A është e vështirë, por edhe shumë e rëndësishme për ne”, tha Emre Can.

“Titulli në Itali nuk është i lehtë, ka shumë ndeshje të vështira. Ne duam të triumfojmë sërish këtu, por njëkohësisht edhe të triumfojmë në të dyja kupat. Duhet të japim maksimumin në Champions, që është “Thembra e Akilit” për Juventusin”, tha mesfushori gjerman.

I pyetur në lidhje me diferencën që kanë dy trajnerët, Allegri dhe Sarri, ai përgjigjet kështu: “Nuk kam asnjë preferencë, pasi mund të bëj mirë me të dy, me të dyja stilet e lojës. Luaj në shumë pozicione dhe kjo më ndihmon. Jam një mesfushor tipik, por përshtatem me kërkesat e trajnerit”.

“Sezoni i ri? Ne duam të fitojmë sa më shumë edhe pse e dimë që nuk është e lehtë. Inter është një rival i fortë, por ka edhe ekipe të tjera që janë forcuar ndjeshëm dhe që do të na sfidojnë për titullin. Personalisht dëshiroj të jem në formë përgjatë gjithë sezonit dhe të luaj sa më shumë”, tha Emre Can.

Duke folur për ardhjet e reja, Rabiot dhe Ramsey, kolegët e tij të rinj në mesfushë, Can tha: “Sa më shumë kampionë në një ekip aq më mirë. Kur luan në një ekip si Juventusi je i vetëdijshëm se konkurrenca është e madhe dhe ka vetëm kampionë. Do të luajmë me 3 apo 4 mesfushorë, ndaj të gjithë do të kenë mundësi të aktivizohen”.



Skip to toolbar