Aksidentet në Tiranë e Fier, plagosen 7 veta nga 2 familje

AKTUALITET


Shtatë persona nga dy familje janë plagosur rëndë nga dy aksidente në Tiranë dhe në Fier. Në Fier rreth orës 19:30 në vendin e quajtur “Varibob” mjeti tip ‘Peugeot’ me drejtuese E.H. 30-vjeçe ka dalë nga rruga duke përfunduar në kanalin e fshatit Varibop. Sipas policisë, në makinën me targa italiane po udhëtonte një familje nga Vlora, një grua me nënën dhe dy fëmijët. Sipas policisë nga aksidenti janë plagosur lehtë drejtuesja e makinës së bashku me nënën e saj me inicialet G.Z. 46-vjeç edhe 2 fëmijët e mitur 2 dhe 6 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e personelit mjekësor në spitalin rajonal Fier.

Po ashtu, një familje është plagosur rëndë nga një aksident i ndodhur pranë rrethrrotullimit të Saukut në Tiranë. Nga përplasja e një makine, ku drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit, janë plagosur tre persona, mes të cilëve dhe një fëmijë.


Sipas policisë së kryeqytetit, rreth orës 19:50, në afërsi të rrethrrotullimit, në rrugën e “Elbasanit” mjeti me drejtues F. F., ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar drejtuesi i automjetit F. F dhe pasagjerët  D. F.,  R. F. dhe A. F., të cilët u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Të shtunën janë shënuar disa aksidente në vend me disa të plagosur. Në Korçë janë regjistruar tre aksidente me 5 të plagosur, ndërsa në Fier pasdite u plagos një efektiv policie.




Skip to toolbar