Ora 8: Rama kafe me Lalin, Meta me veten

AKTUALITET


Ndërsa Meta e pret në zyrë, Rama vazhdon fushatën duke pirë kafen e mëngjesit me banorët e njësisë 4 në Tiranë, ku edhe ka folur për aktin e Metës ndërsa e quan atë lider të opozitës.

Rama thotë se tani që dështoi Luli, Meta ka ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë opozitës.

“Presidenti ka marrë drejtimin e opozitës. Dështon Luli ndërhyn Iliri. Është fatkeqësi e madhe për institucionin. Por s’kemi çfarë të bëjmë. Erdhi dita që edhe Bujar Nishani duket si Xhefersoni. Realisht u bëmë marrëveshjen atëhere, që atëhere ishte marrëveshje e deklaruar nga të dy palët. Më kujtohet të nesërmen që ata të presidencës na kërkonin letrën me firmat e përbashkëta që të shtynte Nishani 1 javë datën e zgjedhjeve. Që ishte brenda afatit dhe kornizës kushtetuese. Kurse ky tjetri hapni vendin se do hidhem dhe i hodhi benzinë zjarrit në atë marrëzinë e çfirmosjes së firmës së vet. I dha një motiv sa do absurd që ne do mbrojmë dekretin dhe do respektojmë dekretin”, tha Rama.

Ai shtoi se presidenti e ka marrë përgjigjen për dekretin me vendim të formës së prerë të Kolegjit Zgjedhor.

“Sot e ka marrë përgjigjen shumë qartë ajo histori nga Kolegji Zgjedhor. Dhe është Kolegji ai që vendos dhe është pa të drejtë animimi. Askush s’ka të drejtë ta ankimojë, pasi Kolegji vulos zgjedhjet. Mirëpo ç’më duhet mua se ç’bëj unë, thotë ai”, shprehet Rama.

Ai u pyet për takimin e Metës me Bashën dhe nëse këta të dy mund të vendosin një datë tjetër zgjedhjesh, por Rama tha se ky vendim do jetë nul.

 “Ata mund të bëjnë ç’të duan. Por është nul. Ska asnjë vlerë, data tjetër. Presidenti s’ka asnjë të drejtë në asnjë rresht të Kushtetues. Por kur e lexon Kushtetutën në filxhan kështu është. Ata mund t’i shpallin luftë edhe Amerikes edhe BE”, tha kryeministri.



Skip to toolbar