Shtohen vëzhguesit e huaj në 30 qershor

AKTUALITET


Ambasada Amerikane, ajo britanike dhe ambasada italiane i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror Zgjedhor për të miratuar vëzhguesit e tyre në zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri.

Realstory.al ka siguruar kërkesën zyrtare që këto ambasada i kanë drejtuar KQZ-së.


Ndërkohë që kërkesa e tyre për vëzhgues pritet të miratohet në mbledhjen e së enjtes nga KQZ  pasi është e përfshirë në axhendën e punimeve të kësaj mbledhje.

Siç shihet edhe në letrat zyrtare që disponon realstory.al Ambasada e SHBA kërkon nga KQZ “miratimin e vëzhguesve afatshkurtër dhe përkthyesve të Ambasadës Amerikane, për vëzhgimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019”.

Pra vëzhguesit e ambasadave i shtohen vëzhguesve të OSBE-së që janë shpërndarë në mbarë vendin për të monitoruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Gjatë të mërkurës opozita reagoi ashpër se sipas saj KiE ka tërhequr vëzhguesit e saj nga zgjedhjet në 30 qershor. Madje kreu i PD-së, duke iu referuar kësaj tha se zgjedhjet e 30 qershorit kanë rënë ligjërisht pasi edhe Këshilli i Europës nuk i njeh. Por realstory zbuloi se bëhej fjalë për Kongresin e Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës që është një strukturë e Këshillit të Evropës, por nuk është Këshilli i Europës. Pra është vetëm një nga organizmat e saj. Vendimi i këtij kongresi për të tërhequr vëzhguesit e saj nuk do të ndikojë në punën e monitorimit të zgjedhjeve nga OSBE, që një ditë pas zgjedhjeve raportojnë në mënyrë teknike, të paanshme dhe të pa ndikuar, të gjithë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.




Skip to toolbar