Presidenti Meta ka shpërthyer të martën duke cilësuar zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat i dekretoi vetë, një komplot kundër demokracisë, i cili është organizuar prej kohësh, sipas tij. I mbetur i izoluar nga faktori ndërkombëtar, në prag të shkarkimit dhe mesa duket duke ndjerë sinjalet se negociatat që priten mes PD dhe PS me sponsorizim ndërkombëtar për të zgjidhur krizën, nuk e përfshijnë atë, kreu i shtetit lëshoi perlën më të madhe të humorit politik të viteve të fundit: shpalli “zgjedhjet” presidenciale:
“… për të zgjidhur krizën propozoj që më 13 tetor të mbahen zgjedhje vendore, zgjedhje të përgjithshme dhe zgjedhje presidenciale.” Mbetet për tu parë se në cilën nga faqet e Kushtetutës e ka parë këtë presidenti si zgjidhje, kur ne jemi republikë parlamentare ku presidenti zgjidhet edhe me 71 vota. Por konvulsionet presidenciale qe kishin kapur kreun e shtetit të martën nuk u ndalën këtu.
Ashtu si dikur Bashkim Gazidede fajësoi SHBA për komplot në rrëzimin e Berishës në 1997, edhe Ilir Meta kafshoi me akuza të forta ndërkombëtarët, amerikanët, sulmoi dhe miliarderin George Soros. Madje në kulmin e akuzave ndaj të gjithëve, veç opozitës, ai paralajmëroi me kërcënime që askush të mos provokojë me kokëfortësinë e tij.
Komplot kundër demokracisë
Pas përshëndetjes për shqiptarët, duke i cilësuar zgjedhjet komplot dhe kurth, Metatha se ia kishte bërë të ditur gruas, në funksionin e kryetares së LSI dhe Bashës. “I kam bërë të qartë zotit Basha, Kryemadhit dhe mikut tim doktorit të mos bien pre e provokimeve të një grupi të strukturuar PPPd, që punon sipas parimeve të Deep State që synon kapjen e shtetit dhe kanë gjetur njeriun e duhur për këtë çështje që nuk vjen në takim me presidentin, por lahet në pishinë, edhe pse presidenti i ka treguar rrugën e zgjidhjes”, tha Meta. Presidenti sqaroi para gazetarëve se çfarë kuptimi ka secila nga germat. Në mesin e tyre janë edhe ndërkombëtarët, ku Meta i sulmoi duke thënë se disa punojnë për interesa të kryeministrit Rama. “PPPd do të thotë, Politikanët, Propaganda, Policia (Rrugët policeske që ndiqen për të shantazhuar sipërmarrës, gazetarë, opozitarë, qytetarë) dhe d e vogël diplomatë që kanë braktisur parimet perëndimore dhe raportojnë sipas qejfit të Ramës”, deklaroi Meta.
Presidenti Ilir Meta tha se s’do ta linte vendin në duart e DEEP STATE te tij imagjinar: “Unë dhe gjithë shqiptarët e ndershëm që kanë ende gjak shqiptari do ta mbrojnë Shqipërinë nga gjithë ata miliarderë që i duket Shqipëria mizë lisi e mund të tallen”, tha Meta.
“Unë dhe shqiptarët do ta mbrojnë vendin nga ata milierderë që u duket Shqipëria një mizë lisi që mund të tallen si të duan. Kam dy fjalë për miliarderin Soros, ju uroj jetë të gjatë, suksese dhe të birit që vjen shpesh në Shqipëri, ti gëzojë miliardat, Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit është presidenti i vendit dhe i del për zot vendit, Jam i racës së tipit Avni Rustemi, Mic Sokolit, Vojo Kushi”.
Kujtojmë se Avni Rustemi i bëri atentat Esad Toptanit në Paris. Por gjithashtu u vra në derën e Parlamentit kur u kthye në atdhe pas lirimit nga burgu. Mesa duket krahasimi lidhej me këtë të dytën, pasi edhe Mic Sokoli i vuri gjoksin topit dhe Vojo Kushi u vra nga granata e tij, ndërsa përpiqej ta hidhte në tankun italian. Nuk dihet se cila nga keto alternativa do jetë e preferuara e Metës kur të vijë koha, por i ndërgjegjshëm që po nxirrte nga goja deklarata të paprecedenta, tentoi me humor t’i thoshte publikut se ishte mirë nga trutë:
“… jam i gatshëm të bëj testin e shëndetit mendor dhe pas kësaj krize duhet të vëmë në kushtetutë testin e shëndetit mendor dhe jam gati të bëj edhe testin e drogës, kurse për testin e shqiptarit e dinë ata që e kam bërë e do ta bëj në çdo kohë”, deklaroi Presidenti Meta.
Me këmbenguljen e një fëmije që nxehet kur i marrin biberonin, Presidenti Ilir Meta ngriti zërin fort kur tha se zgjedhjet vendore do të mbahen më 13 tetor dhe se më 30 qershor u bënë vetëm votime socialiste. Gjatë konferencës për shtyp pas procesit të 30 qershorit, kreu i shtetit tha se dekretin e tij të fundit që caktoi datën 13 tetor për zgjedhjet vendore, nuk mund ta gjykojë Kolegji Zgjedhor, por vetëm Gjykata Kushtetuese, e cila ende nuk është funksionale dhe pritet të krijohet në fund të korrikut. Presidenti Ilir Meta tha se 13 tetori do të jetë datë për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, por edhe për të bërë zgjedhjet për presidentin. Ai tha se ky është propozimi i tij për zgjidhjen e krizës politike që vijon edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve vendore më 30 qershor. Ai tha se do të kandidojë sërish për postin e presidentit në këto zgjedhje të 13 tetorit që ai propozon, dhe thotë se kryeministri Edi Rama mund të vë cilin kandidat të dëshirojë. “Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë”, tha Meta, i cili ndërkohë po shkarkohet nga posti prej maxhorancës së majtë me gjasë shumë para 13 tetorit. “Në 13 tetor edhe zgjedhje të përgjithshme edhe vendore dhe unë garoj për president. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë që shqiptarët të mos shkojnë sërish të futen nëpër ambasada. Boll e zbrazëm Shqipërinë. Do ta bëjmë një vend europian, një vend ku askush nuk dhunon ligjin dhe institucionet. Kjo është zgjidhja që unë jap dhe nuk është turp as për mua nëse populli nuk më voton. Kjo është rruga e zgjidhjes së krizave. Nëse ka ndonjë propozim për kandidat për president Edi Rama ta bëjë. Asnjë propozim që dhunon të drejtën nuk e pranoj. Të mos tallet askush me kushtetutën tonë. U tallën njëherë në 2008”, tha Meta.
Meta tha se e pret kryeministrin në Presidencë në mënyrë që edhe ai të japë propozimet e tij për zgjidhjen e krizës. E ktheu debatin në personal kur tha se e ka gati përgjigjen nëse Rama i përmend bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin kryetaren e LSI-së. “Nëse më thotë burri i Monikës do t’i them gruaja e Bilalit”, tha Meta.
Pastaj me dashje ose jo, pohoi publikisht se fëmijët e tij i kishte në rregull: “Unë jam president, nuk më intereson Monika dhe askush tjetër. Monika falë firmës së Lulit dhe Edit si kryetar bashkie e ka një pallat tek Unaza e Re. I ka të sigurtë fëmijët Monika. Janë tërë ata njerëz që duan të ikin”, u shpreh presidenti.
Pastaj Metës i shkoi gjuha aty ku i dhemb dhëmbi: tek izolimi i tij ndërkombëtar. “Nuk jam vetëm. Janë shumë shqiptarë. Rrugë për në Korenë e Veriut Shqipëria nuk ka për të bërë. Po u thellua kriza, do rivendosen edhe vizat”, kërcënoi kreu i shtetit në shpërthiimin e tij. Sërish Koreja e Veriut, sërish problemi i tij me amerikanët.
Por kulmi i spazmës së kreut të shtetit arriti kur ai publikoi mesazhet private me kreun e qeverisë. Dy ditë pas 16 shkurtit, ditë në të cilën opozita dogji mandatet zyrtarisht. “Lulit i kam shkruar në fund 2017 se pas lokaleve s do jetë më kryetar partie, ndërsa ty po të shkruaj sot që pasi të mbarosh mandatin e presidentit s’do gjesh më gjurmë LSI-je. Mbase jam gabuar por më vjen keq.” tha Meta ndërsa përgjigjen zgjodhi t’ia jap publikisht Ramës: “Nuk më nxjerr dot mua nipi i Spiro Kolekës anti-amerikan. Po erdhi dita t’më heqë vizën amerikane nipi i Spiro Kolekës…Unë vizën nuk ja heq kurrë demokracisë, as që bëhet fjalë në këtë botë”. Por kreu i shtetit i bëri më pas telef ndërkombëtarët:
“Këta (ndërkombëtarët) shikojnë vetëm gabimet e opozitës dhe jo të qeverisë. Unë e krijova mundësinë për dialog, përse nuk erdhi. Të thoshte zoti president unë nuk iki nga karrigia e kryeminsitrit, ta shtyjmë këtë datë dhe të bëjmë zgjedhje lokale normale. E bëri ndonjëherë ai këtë gjë? JO! Më keni dëgjuar ndonjëherë të them unë “Rama Ik”? JO. Edhe mua më thoni tani për përgjegjësitë që kam unë? Unë po flas hapur, bëra gjithçka të ruaja qetësinë. Falënderoj drejtuesit e opozitës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë që bënë thirrjen e tyre për qetësi më 30 qershor. Parlamentin e ka socialist. Është vetëm një deputet që kritikon opozitën, Lefter Maliqi, të tjerë nuk ka. Ai vetëm presidentin nuk e merr dot dhe nuk ka për ta marrë ndonjëherë. Dhe presidentin e FSHF-së vetëm ka lënë ndonjë gjë tjetër pa marrë? Drejtësinë po komplet Ramafon, të gjithë të dalin në diell t’i bien dajres”, deklaroi Meta. Konferenca e kreut te shtetit zgjati rreth nje orë, dhe gjatë saj, Ilir Meta piu katër shishe ujë.