Meta “lan duart” nga dhuna: “Dekreti synonte pajtimin”

Më të fundit


Përshkallëzimi i dhunës pas dekretit për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor, vendim i përdorur nga opozita, e cila ka intensifikuar sulmet e paligjshme, duke shkatërruar materialet zgjedhore në KZAZ-të e bashkive të drejtuara prej saj, duket se ka frikësuar edhe vetë Presidentin Meta. Në një deklaratë për mediat, Presidenti Meta shprehet se dekreti i tij synonte normalizimin e situatës, duke pranuar në këtë mënyrë, se ai nuk ka sjellë normalizim të situatës, por e ka thelluar krizën politike në vend.

“U bënë dhjetë ditë që është në fuqi dekreti i Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve më datë 30 qershor, me qëllim qetësimin e situatës dhe krijimin e mundësive për dialog, që do të normalizonte situatën politike dhe do të krijonte mundësinë për një datë të re të zgjedhjeve vendore, gjithëpërfshirëse dhe demokratike”, u shpreh Meta në deklaratën për mediat.

Por, Meta i është përgjigjur edhe kryeministrit, ndërsa i thotë se nuk është momenti për prova force, duke i kërkuar që të ulet në bisedime.

“Theksoj sërish se nuk është kurrsesi momenti për prova force, për retorikë përçarëse dhe provokuese, por për maturi dhe përgjegjshmëri të lartë për interesat kombëtare të vendit dhe vazhdimësinë e integrimit evropian që është objektiv kombëtar i të gjithë shqiptarëve. Sërish insistoj me forcë rëndësinë e dialogut mes palëve e njëkohësisht gatishmërinë time për të kontribuar për një zgjidhje sa më të shpejtë”, deklaroi Meta.

Thirrja e tij është si për mazhorancën, ashtu edhe për opozitën, por në fakt këto bisedime i shkojnë për mbarë opozitës, e cila e mban si triumf dekretin e Presidentit në çdo bashki të drejtuar prej PD ose LSI, ku ka kërcënuar se nuk do të lejojë zgjedhje, duke kryer edhe me veprime të dhunshme, siç është rasti Shkodrës, Tropojës, Kukësit, Kamzës, Kavajës po dhe bashkive të tjera të djathta. Gjithsesi, mazhoranca deklaroi edhe sot se zgjedhjet do të mbahen, madje sipas zëvendëskryeministrit Braçe, do të jenë të qeta.



Skip to toolbar