Meta “luftë” KED: Diskriminoi Xhaferllarin për ta skualifikuar

#NËRADAR


Pasi foli për më shumë se një orë në konferencën për mediat mbrëmjen e të mërkurës, Ilir Meta publikoi dokumentin voluminoz, për të argumentuar dekretimin e Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Meta rendit disa nga detyrat që Marsida Xhaferllari ka mbajtur gjatë karrierës së saj si juriste, duke përmendur poste publike në institucione të ndryshme. Ndër arsyet, Presidenti vlerëson faktin, që sipas tij, Marsida Xhaferllari “gëzon integritet të lartë moral, etik dhe cilësi të larta profesionale të cilat janë kërkesa të domosdoshme dhe në koherencë me besimin që kërkon publiku për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Përgjatë karrierës së saj ka reflektuar aftësi vendimmarrëse dhe bashkëpunimi”, shkruan Ilir Meta.

Vlerësimin për  Marsida Xhaferllarin, Ilir Meta kërkon ta përforcojë duke sulmuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Sipas Ilir Metës, KED ka vepruar në mënyrë jokorrekte në lidhje me kandidaturën e Marsida Xhaferllarit. Meta supozon se KED ka pasur qëllim për ta skualifikuara nga gara Xhaferllarin, duke e argumentuar këtë me faktin se dy nga anëtarët e KED kanë dhënë 0 pikë për kandidaten.

Nga përmbajtja e dokumentacionit, rezultoi në mënyrë të qartë, se veprimtaria e KED-së, lidhur me ketë kandidaturë, ishte ndjekur në mënyrë jokorrekte dhe në shumë raste edhe me shkelje ligjore që synonin qartazi, diskriminimin e kandidaturës në fjalë, me qëllimin fillestar për ta s’kualifikuar në mënyrë të padrejtë apo edhe atë fundor për ta vlerësuar dhe renditur me po kaq të padrejtë, sa më poshtë në listë, për ta eleminuar nga mundësia e përzgjedhjes. Ka rezultuar se për këtë kandidate, dy anëtare të KED-së, në mënyrë të paarsyeshme, e kanë vlerësuar kandidaten me 0 (zero) pikë. Për asnjë kandidat tjetër nuk ka ndodhur një vlerësim kaq ekstrem”, shkruan Meta.

Madje, sipas Ilir Metës, për shkak të vlerësimit diskriminues të KED-s, kandidatja Marsida Xhaferllari u rendit e katërta në listën fillestare. “Vetëm për arsye të këtij vlerësimi diskriminues nga dy anëtarë të KED-së, kandidatja në fjalë, u rendit e 4-ta në radhë në listën fillestare. Presidenti i Republikës, ka analizuar dokumentacionin edhe në prizmin për të kuptuar shkaqet e vërteta të kësaj sjellje të disa anëtarëve të KED. Ka rezultuar se ndaj kandidates në fjalë është ndjekur një proces i verifikimit të kushteve të kandidimit, i ndryshëm nga kandidatët e tjerë, me nota të forta diskriminimi. Përsëri KED ka vlerësuar përfundimisht se zonja Marsida Xhaferllari i plotësonte kushtet e kandidimit”, thotë Meta.

Por pyetja që ngrihet është nëse Meta ka të drejtën të gjykojë veprimtarinë e KED-s? Në fakt, përgjigja ka ardhur nga Reforma në Drejtësi. Këtë kompetencë e rregullon Kushtetuta, e cila nën Nenin 149/d shprehet: “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrton dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme, me përjashtim të rastit kur nuk arrihet të emërohet kandidati”, pra Presidenti jo vetëm që ka paragjykuar një vendim të KED, por indirekt ai kërkon të futet në kompetencat që Kushtetuta ja njeh ekskluzivisht KED. /Realstory.al/



Skip to toolbar