Meta, “antagonizëm politik” edhe për numrin e nxënësve

POLITIKË


Kreu i shtetit është kapur fort pas togfjalëshit “antagonizëm politik” që pas publikimit të raportit të OSBE-ODIHR për zgjedhjeve vendore, duke i veshur saj çdo shqetësim të vendit, që t’i japë të drejtë vetes për anulimin e 30 qershorit. Këtë ka bërë edhe me qëndrimin që ai ka mbajtur në ditën e dytë të vitit të ri shkollor, ndërsa ka folur për uljen e numrit të nxënësve, ku sipas Presidentit Meta, antagonizmi politik ka sjellë një erozion të tmerrshëm social.

Duke mbështetur qëndrimin e opozitës së një dite më herët, kreu i shtetit ka folur me të njëjtën gjuhë, duke fajësuar mazhorancën. “Çdo vit që kalon shkollat po përballen me sfidën e uljes së numrit të nxënësve. Është koha të mendojmë seriozisht për të ardhmen tonë, për t’i dhënë fund antagonizmit të paprinciptë politik që ka sjellë një erozion të tmerrshëm social, jo vetëm vlerash dhe besimi. Ju ftoj të ndiqni këtë kronikë për të kuptuar më qartë se ç’po ndodh në Shqipëri dhe se kujt i intereson një Shqipëri pa shqiptarë”, shprehet Meta, i cili ka publikuar një video të Zërit të Amerikës, e cila në fakt nuk flet për shqetësimin e uljes së numrit të nxënësve, por për braktisjen e një fshati në Gjirokastër, ku disa banorë shprehen se rinia ka ikur në emigrim, shqetësim i cili nuk ka filluar në kohën e drejtimit të shtetit nga PS, por që prej 30 vitesh.


Nga ana tjetër rezulton se rënia e numrit të nxënësve nga viti në vit, në fakt është një shqetësim që ka ardhur shumë vite më herët dhe nuk lidhet vetëm me çështjen e emigrimit, por edhe me lindjet. Sipas statistikave, mosha e prindërimit në Shqipëri është rritur ndjeshëm dhe kësisoj ka rënë ndjeshëm edhe numri i lindjeve në 10 vitet e fundit, duke ulur kështu edhe numrin e regjistrimeve në sistemin arsimor. Për uljen e numri të lindjeve, rreth një vit më parë, qeveria ndërmori edhe një nismë për dhënien e një shpërblimi për çdo fëmijë të sjellë në jetë.

Megjithatë, për kreun e shtetit dhe opozitën duket se nuk kanë rëndësi arsyet e vërteta, por fakti që të sulmohet mazhoranca. Nëse për opozitën është deri diku e justifikueshme, për shkak të karakterit politik, kjo duket se i është injektuar edhe kreut të shtetit, i cili duhet të jetë mbi palët, sidomos pas anulimit të zgjedhjeve, kur ka ngritur mjaft shqetësime, qofshin ato edhe të pamatshme, siç ishte alarmi që dha për tërmetin apokaliptik. Kjo vihet re edhe në thirrjen e tij në mesazhin për shkollat, ku më shumë se një apel i ngjan një thirrje politike, ndërsa drejtohet me fjalët “Zgjidhja nuk është largimi, por ndryshimi!”.




Skip to toolbar