Kreu i shtetit ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për të deklaruar se do të ndërmarrë një nismë për referendum. Ai u ka kërkuar shqiptarëve referendum për mbrojtjen e Kushtetutës, por nuk ka qenë i qartë sesi do e mbronte Kushtetutën, megjithëse la të nënkuptohej se ishte kundër ndryshimeve kushtetuese për neutralizimin e tij, fakt që e paralajmëroi kryeministri Rama nga salla e Kuvendit.
Gjatë gjithë deklaratës, të cilën e mbylli me një nderim si Hitleri, Meta është përqendruar në mbrojtjen e Kushtetutës në vitin 1998, e cila u votua pas referendumit popullor, ndërkohë që sulmoi ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe theksoi votimin me 140 vota të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016.
“Ndryshimet që u bënë në 2016-ën kanë nxjerrë në pah probleme akute që u paralajmëruan se do të ndodhnin. Kushtetuta u kthye në rregullore me data dhe afate që janë shkelur që të gjitha, që kanë shkaktuar një kaos ligjor që po çon në paralizimin e sistemit të drejtësisë. Me këto afate një pensionist nuk mund ta gëzojë kurrë pensionin që i takon!”, tha Meta, duke kërkuar që populli të marrë në dorë fatin e tij. Ai përmendi edhe një herë “vijat e kuqe”, kur deklaroi se ai do të jetë në mbrojtje të Kushtetutës.
Shqipëria nuk mund të drejtohet me Rezolutë, por vetëm me Kushtetutë! Shqiptarët të hapin sytë, të marrin fatin e tyre në dorë, në mbrojtje të Kushtetutës dhe që fëmijët e tyre të mos ikin më nga sytë këmbët në atdheun e tyre! Kushtetuta e Republikës është Vija e Kuqe dhe e kuqe flakë, e pakalueshme nga armiqtë e saj dhe të Republikës së gjithë shqiptarëve! Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë shpresëhumbur! Presidenti do të jetë në mbrojtje të drejtpërdrejt të Lirive dhe të drejtave themelore të Popullit Shqiptar! Presidenti do të kërkojë mbështetjen e mbarë popullit shqiptar, që përmes Referendumit të mbrojë Republikën”, deklaroi Meta, ku la të nënkuptohej se ai kërkon që të mbrojë veten me referendum, pas sulmeve të ndërkombëtarëve dhe paralajmërimeve që mazhoranca ka bërë për kufizimin e tij.
“Ky Parlament duhet të marrë masa ligjore kushtetuese për të krijuar gjithë mekanizmat zhbllokues ndaj çdo akti flagrant bllokimi që zyrën, presidenti e ka kthyer në një frëngji për të shantazhuar Parlamentin, ndërkombëtarët, dhe popullin shqiptar. Komisionin hetimor duhet ta konsiderojë seriozisht paketën e rekomandimeve, komisioni i ligjeve dhe të gjithë deputetët duhet të kontribuojë për të riardhur në këtë Kuvend, dhe për të votuar neutralizimin e akteve antikushtetuese dhe ligjore të presidentit. Meta nuk kursen as partnerët strategjikë e as dy aleatët e mëdhenj të palëkundur dhe të pandryshueshëm SHBA dhe BE, duke na vënë të gjithëve në një pozitë jo komode, për të thënë fjalët e fundit”, theksoi Rama.
Pikërisht kjo deklaratë, por edhe reagimet e SHBA dhe BE pas akuzave të kreut të shtetit, duket se e kanë detyruar Metën që sot të identifikojë veten si mbrojtës i zjarrtë i Kushtetutës dhe të paralajmërojë se nuk do njohë rezolutën e Kuvendit, duke e mbyllur fjalimin me një nderim nazist, e më pas me shenjën e shqiponjës.