Kreu i shtetit, Ilir Meta ka reaguar për deklaratat e udhëheqësit suprem të Iranit, duke deklaruar se Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por vend demokratik dhe duke u bashkuar në këtë aspekt me kryeministrin Rama, të cilin prej kohësh e akuzon për shtet njëpartiak, por që tashmë mendon se shteti ynë i ka të shenjta të drejtat e njeriut.
Reagimi i kreut të shtetit ka ardhur pas deklaratave të Al Khamenei, i cili e cilësoi Shqipërinë vend i vogël dhe djallëzor në Europë, që sipas tij, bashkë me SHBA kanë strehuar armiqtë e Iranit. Për këtë qëndrim të Iranit, Meta ka deklaruar se Shqipëria qëndron në krah të SHBA dhe ka dënuar sulmet me raketa në bazat e amerikane.
“Raketat e lëshuara nga Irani drejt dy bazave ushtarake irakiane që strehojnë ushtarakë amerikanë dhe personel të koalicionit, janë një veprim provokues me pasoja të rrezikshme për rajonin dhe stabilitetin e tij. Irani duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet ndërkombëtare dhe detyrimet e tyre në interes të paqes. Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta. Prej dy dekadash Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe vendeve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë”, deklaroi Meta.