Rreth 12 orë pas informacionit se Meta ka udhëtuar në Strasburg, Presidenca ka deklaruar se kreu i shtetit nuk ka shkuar për vizitë private, por për vizitë pune dhe është i shoqëruar në çdo takim nga përfaqësuesit diplomatike të shtetit shqiptar pranë Këshillit të Europës.
Reagimi i ashpër i Presidencës, duke sulmuar portalet me deklarata se punojnë në të zezë, ka ardhur pas publikimit të informacionit se ai ka shkuar në një vizitë private në Strasburg, ku ndodhet edhe selia e Komisionit të Venecias, ndërsa nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtare më herët për këtë vizitë.
Presidencës i është nevojitur një kohë e konsiderueshme për të dhënë detaje për këtë vizitë, por është mjaftuar vetëm me faktin se është vizitë pune, ndërsa sqaron se “Presidenti Meta do ta vizitojë më shpesh Strasburgun, kryeqytetin e të drejtave të njeriut, pasi vetëm respektimi i tyre çliron të ardhmen europiane të vendit nga pengmarrja e oligarkisë, nga e cila këta mashtrues ordinerë paguhen”. “I sqarojmë gjithashtu se Presidenti Meta nuk ka nevojë të lobojë, as në të bardhë, e as në të zezë. Presidenti Meta do t’i mbrojë të drejtat kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë, në Strasburg, në Bruksel, në Nju Jork dhe kudo në botë, hapur e në mënyrë parimore”, deklarohet në reagimin e Presidencës.
Sipas Presidencës, Shqipëria, si vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe si vend që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian, ka detyrim ligjor të mbrojë të drejtat e qytetarëve të saj, siç sanksionojnë të gjitha dokumentet e konventat që janë në fuqi.
Për vizitën në Strasburg të kreut të shtetit, fillimisht raportoi Syri.net, portali pranë Metës, ku shkruante se “Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka mbërritur në Strasburg, ku do të zhvillojë një takim me drejtuesit e Kongresit të Autoriteteve Vendore”, ndërkohë që nuk kishte asnjë informacion zyrtar për këtë vizitë, fakt që ngre pikëpyetje mbi fshehtësinë e informacionit. Ndërsa gazeta Tema raportonte se “burime nga protokolli i shtetit bëjnë me dije se asnjë punonjës i Ministrisë së Jashtme apo Ambasadës shqiptare në Strasburg nuk është përfshirë në vizitën e Presidentit”. Po ashtu, Tema raporton se “burimet pranë Metës bëjnë me dije se në fakt arsyeja e vërtetë e udhëtimit drejt Strasburgut është një takim sekret me Gianni Buquicho, ndërkohë që këto ditë Komisioni i Venecias nën drejtimin e Buquichos do të marrë vendimin nëse Ilir Meta e ka shkelur apo jo Kushtetutën e Republikës kur vendosi të çdekretojë datën e zgjedhjeve të 30 qershorit duke nxitur protesta të dhunshme që e kanë dëmtuar jo pak imazhin e Shqipërisë”.
Pas këtyre raportimeve, Presidenca reagoi duke sulmuar portalet, por që nuk dha detaje se përse kjo vizitë zyrtare nuk ishte bërë publike?!