Presidenti Meta nuk harron në asnjë fjalim, aktivitet apo takim të tij, që të sulmojë qeverinë. Me gjuhën e një opozitari, Meta kundërshton ende me forcë se zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme dhe njëpartiake dhe se duhet shmangur vendosja e një sistemi monist në vend. Presidenti Meta tha se kurrsesi nuk duhet lejuar asnjë sistem totalitar të instalohet në Shqipëri, në të gjitha format e tij, por cilëson se duhet të forcohet demokracia që të ecet përpara në rrugën e Bashkimit Europian. Këto deklarata presidenti i bëri gjatë ceremonisë së vlerësimit të viktimave të zhdukura nga regjimi komunist në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Forcë.
“Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve me Forcë është një mundësi për të ngritur zërin dhe për të mos i harruar viktimat e zhdukur gjatë regjimit komunist. Një ditë si kjo, na kujton se ne duhet të jemi edhe më shumë të bindur për një rrugëtim më të shpejtë dhe solid drejt Bashkimit Europian dhe forcimit të demokracisë, duke mos lejuar më kurrë asnjë sistem totalitar të instalohet në Shqipëri, në të gjitha format e tij. Që të mos kthehemi 30 vite pas si në kohët e errëta të dhunimit dhe shtypjes, por të ecim përpara denjësisht si qytetarë të lirë europianë dhe me dinjitetin njerëzor që meriton çdo shqiptar“, shprehet Meta.
Kjo është hera e dytë që Meta hedh këto akuza brenda 12 orëve, duke akuzuar Ramën se po vendos një sistem totalitar e komunist në vend. Më herët e bëri në një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Anulimi i zgjedhjeve të 30 qershorit futi vendin në krizë dhe për të mbrojtur veten, Meta akuzon mazhorancën që zhvilloi zgjedhje komuniste, e cila në fakt thjeshtë ndoqi ligjin dhe atë që vetë presidenti e kishte dekretuar sipas Kushtetutës, një datë e mbështetur edhe nga ndërkombëtarët. Meta nuk e pranon faktin se anulimi i zgjedhjeve të 30 qershorit ishte arsyeja e krizës dhe vijon të sulmojë qeverinë se kriza erdhi si pasojë e mospranimit nga Rama të dekretit të tij.