Akuzat e PD, prokuroria administron gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut

POLITIKË


Akuzave të opozitës se Agim Kajmaku, kryebashkiaku i Vorës, dhe Jorgo Toto, i arrestuar dhe kërkuar për falsifikim parash në Greqi janë i njëjti person, do u japin përgjigje gjurmët e gishtërinjve. Prokuroria e Përgjithshme ka administruar gjurmët e gishtërinjve të kryebashkiakut të sapozgjedhur të Vorës, Agim Kajmaku,  i cili i ka dhënë ato në njësinë e dekriminalizimit.

Prokuroria ka marrë në dorëzim edhe dokumentet dhe provat që Partia Demokratike zotëron ndaj Agim Kajmakut si dhe është në pritje të letërporosisë dërguar autoriteteve greke për marrjen e dosjes së plotë dhe informacioneve nga homologët e tyre në shtetin helen.


Prej disa ditësh, Partia Demokratike ka dalë në deklarata për shtyp thuajse çdo ditë, ku akuzon dhe publikon dokumente e foto, që sipas saj, Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto janë i njëjti person.

Pas publikimit të numrit të pasaportës Z 0148497  të Jorgo Totos nga sistemi TIMS me të cilin është arrestuar, ka publikuar edhe numrin e pasaportës të Agim Kajmakut nën emrin e Jorgo Toto me po të njëjtin numër. PD gjithashtu ka publikuar edhe fotot e pasaportës së Agim Kajmakut dhe Jorgo Totos që kanë në pasaportë ku vihet re se është i njëjti person.

Kajmaku i ka hedhur poshtë të gjitha këto detaje duke deklaruar se ai nuk është arrestuar asnjëherë dhe kjo është e vërteta e vetme.  Do të jetë prokuroria që do i jap përgjigje kësaj çështje duke përcaktuar përmes gjurmëve të gishtërinjve nëse ato të Agim Kajmakut janë të njëjta apo jo me ato të Jorgo Totos, të arrestuar në Greqi.




Skip to toolbar