Meta, protagonizëm me dekrete, kthen mbrapsht ligjin për zhvillimin e territorit

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta ka vendosur t’i kthejë maxhorancës një tjetër ligj në kuvend dhe bëhet fjalë për ligjin për zhvillimin e territorit. Gjatë të shtunës presidenti ka firmosur 3 dekreti dhe ka kthyer mbrapsht për rishqyrtim një tjetër ligj.

Argumenti i kthimit për rishqyrtim të projektligjit ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’, është se “drafti nuk është konsultuar me ministritë e tjera apo me grupet e interesit.

“Për më tepër përvec se procesi i konsultimit publik dhe i bashkërendimit të detyrueshëm institucional nuk është kryer, Këshilli i Ministrave ka kërkuar dhe Kuvendi i Shqipërisë e ka pranuar duke realizuar shqyrtimin e projektligjit me procedurë të përshpejtuar.

Nuk rezulton e arsyetuar se përse është shmangur procesi i konsultimit publik dhe i bashkërendimit institucional dhe cila është nevoja urgjente e shfaqur për shqyrtimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar.” , shkruhet në argumentet e presidentit.

Po kështu presidenti kërkon shqyrtim të nenit 8 i cili rregullon procesin e ndryshimit të projekteve ndërtimore gjatë fazës së zbatimit të tyre. Këto dispozita aplikohen si për investime publike shtetërore ashtu dhe për investime me karater privat.

“Presidenti i Republikës çmon se, neni 8 i ligjit nr. 42/2019, i paraqitur për shpallje, është jo i plotë dhe i paqartë në formulim.

Sipas kësaj dispozite në procesin e rishikimit të projektit, nuk parashikohet dhënia e pëlqimit apo konsultimi me pronarët e trojeve mbi të cilin realizohet vepra”, argumenton presidenti.

Duket se presidenti e gjeti një hapësirë për protagonizëm edhe këtë të shtunë të qetë politike. Ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën, presidenti përdor dekretit për të qenë në qendër të vëmendjes, e vetmja gjë që mund të arrijë përmes tyre, për shkak se maxhoranca me fuqinë e kartonëve i rrëzon dekretet e tij dhe vazhdon me miratimin e projektligjeve.



Skip to toolbar