Komisioni Parlamentar i ligjeve mblidhet të hënën për të diskutuar mbi kërkesën e një grupi deputetësh për të shkarkuar presidentin Ilir Meta për shkelje të rëndë të Kushtetutës, përmes dekretit që anuloi zgjedhjet e 30 qershorit. Ndërkohë që shkarkimi i tij mësohet se do të votohet në seancë parlamentare në datën 4 korrik. Javën e fundit të qershorit Kuvendi në axhendën e tij të punimeve nuk ka parashikuar seancë parlamentare. Seanca më e afërt është ajo e 4 korrikut, kur sipas burimeve pritet të kalojë për votim edhe raporti i Komisionit të Ligjeve për shkarkimin e Presidentit Meta. Më 4 korrik ka ditëlindjen kryeministri Rama, dhe duket sikur shkarkimi i Metës vjen si dhuratë për të.
Por nga ana tjetër vjen edhe në formën e një hakmarrje. Kjo për faktin se dhjetë vjet më parë, në 4 korrik 2009, pikërisht në ditëlindjen e Ramës, Ilir Meta shpallte koalicionin me Berishën pas zgjedhjeve të 29 qershorit dhe ajo ditë u zgjodh qëllimisht nga Meta për të ngulur thelle “thikën e hakmarrjes” te Rama. Tashmë e njejta “thikë”, në të njejtën ditë “ngulet” diku tjetër.
Komisioni i Ligjeve bazuar edhe në rregulloren e Kuvendit i ka çuar ftesë Presidentit duke i dhënë mundësinë e një seance dëgjimore në Komision për të argumentuar në mënyrë ligjore arsyet e vendimit të tij për të anuluar zgjedhjet.
Por presidenti përmes një letre drejtuar komisionit e refuzoi ftesën duke mos dhënë asnjë arsye të argumentuar ligjërisht. Arsyet që dha presidenti ishte se dekreti i tij është ligjor pasi është botuar në Fletoren Zyrtare dhe më pas citonte një Konventë Europiane, duke anashkaluar komplet Kushtetutën e Shqipërisë.
Shteti funksionon në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës, ndërsa presidenti në letrën drejtuar ligjëvënsve nuk e përmend fare atë. Lind pyetja a ka frikë Meta të dalë para deputetëve dhe të argumentojë vendimin e tij?
Kujtojmë se më herët, kur ishte rasti i mos dekretit të ministrave Lleshaj dhe Cakaj presidenti është shprehur publikisht i gatshëm të ballafaqohej me Kuvendit dhe të argumentonte vendimin e tij. Ndërsa tani kur çështje merr një rëndësi më të madhe për vetë faktin se kuvendi po diskuton shkarkimin e tij për shkelje të Kushtetutës, Presidenti refuzon të shkojë në komision duke thënë madje se shkarkimin e tij nga detyra është një proces politik.
Duket se mungesa e argumenteve ligjore ka bërë që presidenti të refuzojë përballjen me deputetët e Komisionit të Ligjeve, por gjithsesi siç realstory ka paralajmëruar edhe më herët ai ka nisur të marrë masa për t’u mbrojtur nga shkarkimi.
Kjo mbrojtje e Metës vihet re tek dy kërkesat drejtuar KQZ-së për verifikimin e praktikës shkresore të ndjekur nga ky institucion për t’i dhënë mandatin deputetëve të rinj që zëvendësuan vendet vakante në parlament, të lëna bosh nga opozita që dogji mandatet.
Më këtë lëvizje Meta synon të mbrojë veten në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se Komisioni i Mandateve nuk ka bërë verifikimet e kërkesave për dorëzimin e tyre nga deputetët e opozitës, për të kërkuar kështu pavlefshmërinë e votimit në kuvend për shkarkimin e tij./Realstory.al