Në konferencën e përbashkët për shtyp mes presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, u komentua vendimi i BE-së për të mos hapur negociatat për anëtarësim për të dy vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa presidenti i Maqedonisë së Veriut Pendarovski tha se vendimi i BE-së ishte i pamerituar dhe i padrejtë për të dy vendet, Meta vlerësoi vendimin e qeverisë maqedonase për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme, dhe kërkoi reflektim edhe nga qeveria shqiptare. Pa e përmendur as fjalën dorëheqje dhe as fjalën zgjedhje të parakohshme, Meta fajësoi qeverinë se duhej t’i kishte përmbushur me kohë kriteret që kërkohen nga Bundestagu gjerman dhe tani të mos fajësojë Francën dhe Holandën por të përpiqet t’i përmbushë këto kritere.
“Po ta mbani mend gjatë muajve të ndezur politikë në maj dhe në qershor, por edhe më vonë, unë kam bërë të gjitha përpjekjet që të ishim më reflektues ndaj të gjitha kritereve që nuk ishin të panjohura për ne, të bëra në veçanti nga përfaqësues e zyrtarë të Bundestagut, i cili është institucioni superem në Gjermani që vendos për çështjet e zgjerimit. Kam theksuar vazhdimisht që të përfitojmë nga situata më e avantazhuar në të cilën ndodhet Maqedonia e Veriut në mënyrë që të përfitonim nga hapja e negociatave dhe të bënim disa zgjidhje të brendshme që ishin të domosdoshme në mënyrë që ta lehtësojmë një vendimmarrje në interes të dy vendeve tona.
Tani jemi në këtë situatë që askush nuk e dëshiron, por është e rëndësishme që të gjithë të reflektojmë. Kemi një reflektim në Maqedoninë e Veriut përmes një zgjidhje të caktuar politike, që tregon pjekurinë e tyre politike dhe demokratike. Edhe tek ne ka mjaft rëndësi që të kemi një reflektim të menjëhershëm dhe të lexojmë me vëmendje të gjitha detyrimet që duhet t’i kishim përmbushur me kohë. Ato janë të përcaktuara qartë në rezolutën e Bundestagut gjerman. Duhet të forcojmë bashkëpunimin me vendet kritike, përfshirë Francën, Holandën, Danimarkën e Spanjën. Nuk mjafton të themi se Franca ka këto probleme të brendshme, apo Holanda dhe po na përdor ne. Në rast se ne jemi burim i shqetësimeve të tyre të brendshme përsa i takon azilkërkuesve, apo krimit të organizuar, ne duhet të reagojmë me shumë përgjegjshmëri dhe në mënyrë të besueshme”, tha Meta.
I pyetur nëse mendon se Maqedonia e Veriut u penalizua për negociatat nga Shqipëria, Presidenti Pendarovski tha JO, dhe theksoi se të dy shteteve duhej t’i hapeshin negociatat.
“Procesi i ndarjes së dy shteteve, asnjëherë nuk ka qenë pjesë e fjalorit tim politik, sepse mendoj se dy shtetet duhet t’i fillonin negociatat. Ne harxhuam shumë kohë tek miqtë tanë t’i bindim se nuk bëhet fjalë për anëtarësim të plotë, por vetëm fillim të një procesi që do të vijojë me vite të tëra. Serbia është në vitin e pestë të negociatave, Mali i Zi është në negociata shtatë vite e gjysëm, e nga ky vit nuk i ka hapur ato kapituj jo më t’i mbyllë. Kjo është mënyra më e mirë për bërjen e reformave. Një Gjermani dhe Francë që ka arritur për 200-300 vite, ne duam ta bëjmë për shumë më shpejt. Këtë radhë nuk na u mundësua. Ky është një ndëshkim i pamerituar për të gjithë Rajonin. Rajoni nuk duhet të jetë i harruar. BE duhet të gjejë forma dhe mënyra të afrojë edhe Bosnje-Hercegovinën me Evropën”, tha Pendarovski.
Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut kërkoi një bashkëpunim më të fortë ekonomik mes dy vendeve, ndërsa propozoi një samit të jashtëzakonshëm që mund të zhvillohet në Maqedoninë e Veriut për çështjen e negociatave.
“Propozova që Shtetet e Ballkanit Perëndimor në javët e ardhshme të mbajnë një samit të jashtëzakonshëm në Maqedoni për çështjen e negociatave. Ky bashkëpunim me intensitet të pazbuluar të vazhdojë edhe në të ardhmen. Energjinë tonë ta shpenzojmë dhe në bashkëpunimin ekonomik që nuk reflekton marrëdhëniet e mira politike”, deklaroi Pendarovski, i cili gjithashtu tha se ka propozuar një grup miqësie mes dy vendeve.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut ndodhet në Tiranë me ftesë të Presidentit Meta. Gjatë ditës ai do të zhvillojë takime me personalitet e politikës shqiptare.