Këtë të mërkurë, gjatë takimit për platformën online “Bashkëqeverisja”, Kryeministri Edi Rama ka pasur në fokus pensionistët. Gjtë fjalës së tij, kreu i qeverisë është shprehur se nëse pensionistët kanë pengesa, mjafton që ata t`i drejtohen kësaj platforme, dhe do të marrin shërbimin që kërkojnë. Rama e quajti këtë platformë si një ‘mik të fortë’ për pensionistët, të cilët sipas shefit të qeverisë ende nuk marrin shërbimin që duan në të gjithë territorin.
“Nuk është ende një strukturë që reagon dhe përgjigjet në kohë reale në të gjithë tereritorin e vendin. Në shumë vende pensionistët nuk e marrin përgjigjen dhe përkushtimin që meritojnë. Mirëpo duke ju drejtuar platformës ata i heqin këto pengesa dhe kanë një mik shumë të fortë që është drejtpërdrejt në qeveri. Thirrja ime për gjithë pensionistët që kanë probleme me pensionin është mos prisje zgjidhjen në zyra në rast se nuk ju vjen menjëherë por direkt tek Shqipëriaqëduam.al, ku janë zgjidhur të gjitha rastet”, tha Rama.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, janë prezantuar disa raste konkrete, se si persona të ndryshëm kishin gjetur zgjidhje për problemet e tyre, pasi kishin shkruar në portalin “Shqipëriaqëduam.al”. Në këtë platformë, thonë burime zyrtare, kanë marrë zgjidhje probleme të ndryshme të qytetarëve, jo vetëm për pensionistët, por edhe për çështje të tjera administrative.