Mikrokredi me filtra/ BSH rregullore të re për institucionet

EKONOMI


Më shumë filtra për dhënien e kredive nga institucionet e mikrokredive. Banka e Shqipërisë ka shpërndarë për konsultim te grupet e interesit një projekt rregullore që lidhet me administrimin e rrezikut të veprimtarisë së këtyre institucioneve  ku parashikohen një sërë kufizimesh. Në rregulloren e re janë forcuar kriteret pasi kërkohet një vlerësim më i imtësishëm i aftësisë paguese të qytetarëve.

Subjekti,  detyrohet që në llogaritjen e të ardhurave, të marrë  në konsideratë të ardhurat e konsumatorit  bazuar në të dhënat e të paktën ë muajve të fundit përpara momentit të kryerjes së analizës financiare. Ndër të tjera  ndalohet që subjekti të aprovojë  më shumë se 2 kredi konsumatore ndaj të njëjtit kredimarrës, në të njëjtën kohë.

Po ashtu nuk do të lejohet të lidhet kontratë e kredisë konsumatore me persona nën moshën 18 vjeç, me persona të cilësuar me aftësi të kufizuara, ose me persona të cilët marrin vendime nën asistencën e një personi tjetër.

Një tjetër element I shtuar në miratimin e kontratës për kredidhënie nga institucionet jofinanciare është edhe fasha orare  sipas të cilës Subjekti nuk lidh kontrata të kredisë konsumatore gjatë orës 22:00 deri në 07:00.

Pas fazës së konsultimeve kjo rregullore do të kaloj për miratim dhe synohet që të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.



Skip to toolbar