“Mini schengen” në Ohër, Kosova nuk merr pjesë: Erdhi ftesa me vonesë

KOSOVA


Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka mbërritur në Maqedoninë e Veriut, ndërsa është takuar edhe me dy homologët e tij  si Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev për takimin e planifikuar për nismën e “mini schengen” ballkanik.

Shefi i qeverisë shqiptare ndodhet në Ohër  në kuadër të Samitit për Zbatimin e katër lirive të Bashkimit Europian, ku përfshihen lëvizja e mallrave, njerëzve, produkteve dhe shërbimeve. Ky është takimi i dytë mes tre kryeministrave. Takimi i parë u zhvilluan në kryeqytetin e Serbisë pak ditë para se Këshilli i Evropës të jepte verdiktin për negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Por, ashtu si në takimin e parë, Kosova nuk është e pranishme. Herën e parë, qeveria në ikje e Kosovës tha se nuk ka pasur një ftesë. Ndërsa këtë herë, qeveria në detyrë e Kosovës ka deklaruar se nuk do jetë e pranishme, pasi ftesa u ka shkuar me vonesë.

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka konfirmuar mungesën në këtë samit. “Nuk do të jem pjesë e Samitit pasi ftesa ka ardhur shumë vonë, sot, dhe unë ndodhem jashtë shtetit dhe e kam të pamundur të jem”, ka deklaruar Pacolli në një prononcim për mediat.



Skip to toolbar