Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka marrë pjesë një aktivitet festiv të organizuar në sallën e amfiteatrit të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë para dhjetëra nxënësve, mësuesve e drejtuesve të shkollave 9-vjeçare e të mesme të ardhur nga të gjitha bashkitë e vendit.
Në këtë aktivitet Shahini prezantoi nismën më të fundit që është krijimi i parlamentit të nxënësve.
Ajo tha se parlamenti do të krijohet në shtator me nisjen e vitit të ri shkollor.
Teksa nënvizoi se zgjedhjet e para të këtij parlamenti do të bëhen në vjeshtën e ardhshme me fillimin e vitit të ri shkollor, gjatë këtij aktiviteti themelues u ngritën edhe disa prej temave kryesore të reflektuara prej vetë të pranishmëve, si janë kujdesi për shëndetin mendor të nxënësve; lufta kundër bullizmit dhe përfshirja më e madhe e nxënësve në proceset e vendimmarrjes.
Në fokus primar të “Parlamentit të Nxënësve të Shqipërisë”, i cili do të shërbejë si një organ këshillimor pranë MASR, është zhvillimi dhe thellimi i çdo lloj politike që synon drejtëpërdrejtë përmirësimin e cilësisë së jetës së të rinjve në vend, rritja e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike, si dhe angazhimi i shtuar i tyre në vendimmarrje.