Mira Mare u legalizua me akt fals, eksperti kishte vdekur 5 vite para dokumentit

AKTUALITET


Tërmeti i 26 nëntorit mori 51 jetë njerëzish dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale, ku shumë objekte u shembën tërësisht. Shembja e këtyre banesave bëri që të niste një hetim për cilësinë e ndërtimeve në zonat e prekura nga tërmeti, që solli dhe arrestimet e para në Durrës,  ku 9 përfunduan në pranga dhe 8 janë shpallur në kërkim të akuzuar nga “shpërdorim detyre” deri tek akuza “Vrasja me dashje”. Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur për News 24 dosjen hetimore pas arrestimeve në Durrës, ku del në pah abuzimi i ndërtuesit të ‘Mira Mare’, Rruzhdi Xheka, ku legalizimi i objektit përveçse nuk ka studim, është bërë me një akt ekspertimi që rezulton se është i falsifikuar pasi eksperti që ka bërë aktin ka ndërruar jetë 5 para se të bëhej legalizimi.

PJESË NGA DOSJA HETIMORE PËR HOTEL “MIRA MARE”

Në lagjen nr.13 Plazh Durrës, është shembur një objekt me 5 kate i quajtur Hotel Mira Mare i cili ishte ndërtuar para viti 2005 dhe për te cilin ishte plotësuar formulari i vet deklarimet ne vitin 2005 dhe një formularë tjetër ne vitin 2006, i legalizuar ne vitin 2018. Nga shembja e objektit “Hotel Mira Mare” Lagjja nr.13, Plazh Durrës, edhe si pasojë e lëkundjeve te tërmetit gjetën vdekjen shtetasit Sotiraq Vangjel Misha dhe Evjola Bajram Broshka, ndërkohë në pranga ra pronari Rruzhdi Xheka, që rezulton të jetë edhe ndërtuesi informal në objektit, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

Nga hetimet, rezulton se ekzistojnë dyshime të bazuara se nga ana e subjekteve private, në cilësinë e ndërtuesit informal, është kryer ndërtimin e një objekti 5-kate në kundërshtim me rregullat dhe normat në fushën e ndërtimit dhe konkretisht objektin e emërtuar Hotel “Mira Mare”, ku për shkak dëmtimit në strukturën e objektit, ka sjell shembjen e tij dhe për pasojë vdekjen e shtetasit Sotiraq Vangjel Misha dhe Evjola Bajram Broshka të cilët gjendeshin në këtë objekt.

Shtetasi Rruzhdi Xheka në cilësinë e aplikuesit për leje legalizimi dhe te pronarit te objektit rezulton se ka kryer ndërtimin e një objekti pa respektuar rregullat dhe normat ligjore në fushën e ndërtimit për sa i përket studimit, projektimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të objektit informal. Po ashtu ai nuk ka kryer asnjë lloj studimi gjeologjiko-sizmiologjik dhe asnjë lloj projekti i konstruksionit dhe objektit 5 katesh. Po ashtu thuhet se nuk ka te dhëna që zbatimi i punimeve të jetë kryer nga subjekt i licencuar si dhe nuk ka kryer asnjë lloj akti kolaudimi apo ekspertimi teknik lidhur me qëndrueshmërinë.

Në dosje thuhet se akti teknik i nevojshme për legalizimin e objekti që lidhet me strukturën dhe qëndrueshmërinë është një akt ekspertimi, i cili gjendet në fotokopje dhe i dyshuar tërësisht i falsifikuar megjithëse legalizimi është kryer në vitin 2018, personi që pretendohet se ka hartuar aktin ka ndërruar jetë 5 vite para legalizimit të objektit. Rruxhdi Xheka lidhur me mosrespektimin e normave ligjore në fushën e ndërtimit ka kryer veprime me dashjen e tij atë të ndërtimit, krijimit dhe fitimit të një pasurie e cila nuk i plotësonte kushtet teknike të qëndrueshmërisë. Me dashje indirekte ai ka sjellë pasojën e ardhur pasi ai i ka parashikuar pasojat që mund të vijnë pasi po ndërtonte një objekt me 5 kate për banimin e njerëzve dhe pikërisht për Hotel, ndërkohë që me ndërgjegje e lejon ardhjen e pasojës përderisa nuk merrën masa në respektimin e legjislacionit dhe rregullave te fushës se ndërtimit.

Për këto arsye me veprimet dhe mos veprimet e tij shtetasi Rruzhdi Xheka dyshohet se ka kryer elementët e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

Në dosje thuhet se Arben Isaku, në cilësinë e Drejtorit të Aluizimit Durrës, ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin nr.9482 date 03.04.2016 i ndryshuar “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” duke kryer legalizimin dhe regjistrimin e objekteve pa i plotësuar kushtet tekniko ligjore të tij, duke sjellë pasoja në jetët e njerëzve. Nga ana e tij janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, në lidhje me administrimin e dokumentacionit të nevojshëm dhe kualifikimi i objektit “Hotel Mira Mare” Lagjja nr.13,Plazh Durrës ne kushtet kur ligji e përjashton nga legalizimi, pasi objekti nuk plotësonte kushtet për legalizim, sepse nuk kishte një akt ekspertimi teknik te rregullt për qëndrueshmërinë si njeri nga kushtet kryesore te dokumentacionit tekno-ligjor te legalizimit te objekteve mbi 5 kate, etj., duke konsumuar kështu elementet e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”.



Skip to toolbar