Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se gjatë mbrëmjes së ndërrimit të viteve në sheshet kryesore të vendit do të stacionohen autoambulanca me qëllim që t’u vijnë në ndihmë banorëve, ndërsa të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore do të jenë në gatishmëri gjatë 24 orëve.
“Të gjitha spitalet dhe Urgjenca Kombëtare Mjekësore do të jenë në gatishmëri 24/7 orë sot dhe në ditët në vijim. Gjatë ditëve të festave kemi marrë masat për rastet dhe urgjencat duke garantuar shërbim shëndetësorë 24 orë në të gjithë spitalet. Kemi marrë masat për të siguruar medikamentet shtesë në raste nevoje, për rastet që mund të paraqiten. Urgjenca Mjekësore Kombëtare gjithashtu është me stafe të përforcuara. Kemi vendosur që këtë vit të kemi struktura nëpërmjet autoambulancave dhe ekipeve tona mjekësore aty ku do të këtë festa. Në të gjithë sheshet e qyteteve do të ketë një mbështetje dyfishe me ekipe mjekësore dhe autoambulanca, të cilët do të jenë në gatishmëri për çdo urgjencë që do të ketë nata e ndërrimit të viteve”, tha Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu gjatë një takimi që zhvilloi me ekipin e urgjencës së Spitalit Universitar të Traumës, spital i cili pret dhe numrin më të madh të urgjencave gjatë ndërrimit të viteve.
Në kuadër të masave shtesë të marra nga strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, gjatë ditëve të festave për shtim të personelit në urgjencat mjekësore në të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore do të ketë edhe personel “on call” në rast nevoje.
“Ekipi i mjekëve dhe infermierëve do të jenë në gjendje gatishmërie për festat e fundvitit. Përveç ekipeve të përforcuara janë marrë masat që spitalet të kenë listën e mjekëve ‘on call’ për çdo emergjencë për secilin shërbim”, tha Manastirliu.
Sipas urdhrit të Ministres masat e përforcuara do të zbatohen nga të gjitha ekipet mjekësore në datat 31 dhjetor, 1, 2, 3 janar 2019, për t’iu përgjigjur të gjitha thirrjeve në rast nevoje nga qytetarët.