Mogherini: BE të korrigjojë vendimin për Shqipërinë

AKTUALITET


Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Frederica Mogherini e ka cilësuar një shans të humbur dhe një gabim historik vendimin e BE-së për të mos hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa ka deklaruar se BE duhet ta korrigjojë sa më parë këtë vendim. Mogherini ka deklaruar se të dy vendet kanë bërë progres të jashtëzakonshëm.

“Dy vendime të rëndësishme dhe një gabim historik. Krerët e Shteteve dhe Qeveritë kanë shtyrë vendimin për hapjen e negociatave për hyrjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë se Veriut në Bashkimin Evropian, përkundër përparimit të jashtëzakonshëm të bërë nga të dy vendet dhe kundër mendimit të Komisioni Evropian. Ishte shumë më tepër sesa një mundësi e humbur: është një gabim historik, i cili shpresoj se mund të korrigjohet sa më shpejt”-tha ajo.

Duke besuar se gabimi i BE-së ndaj dy vendeve të rregullohet sa më parë, Mogherini gjithashtu u ndal edhe tek disa tema të tjera, përfshirë sulmet ushtarake të Turqisë mbi  Sirinë dhe “Brexit” mes Anglisë me BE.

“Këshilli mori dy vendime të rëndësishme: miratoi marrëveshjen e re me qeverinë e Londrës për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian; dhe konfirmoi vendimet që kishim marrë të hënën me ministrat e jashtëm për ndërhyrjen ushtarake të Turqisë në Siri. Përgjigja jonë ndaj sulmit të Ankarasë ndaj kurdëve sirianë ishte e fortë dhe e bashkuar. Jo vetëm që kemi dënuar ndërhyrjen, por kemi vendosur që Shtetet Anëtare do të ndalojnë shitjen e armëve në Turqi – secila në përputhje me legjislacionin e tyre kombëtar – dhe ne kemi miratuar sanksione ekonomike në përgjigje të veprimtarive turke jashtë bregdetit të Qipros”-thekson ajo.

Samiti i Brukselit që u zhvillua një javë më herët vendosi ta shtyjë vendimin për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.



Skip to toolbar