Pas përfundimit të konferencës për Progres-Raportin e vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian, drejtuesit e lartë të unionit kanë mbajtur një konferencë për shtyp. Federica Mogherini u shpreh se Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm me reformat e ndërmarra. Shefja e Politikës së Jashtme në BE tha se Shqipëria e ka bërë punën që i takon për përmbushjen e detyrave. Tani është radha e vendeve anëtare të bëjnë atë që u takon për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
“Ne kemi qenë dëshmitarë të arritjeve dhe suksese që janë mbresëlënëse, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë treguar rezultate për reformat. Zbatim mbresëlënës i reformës në drejtësi, që ka sjellë rezultate të prekshme. Kam qenë së fundi në Tiranë për Samitin. Në bazë të një vlerësimi të rreptë dhe objektiv këtë vit për herë të dytë komisioni rekomandon çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
“Ato kanë bërë pjesën e tyre të punës dhe tashmë është radha e BE-së të bëjë punën e tij. Topi ynë tani do të kalojë në Këshillin e Evropës. BE të japë ato merita aty ku ato ekzistojnë. Kur ne vlerësojmë meritat në mënyrë objektive, ato duhen njohur. Në të kundërt do të dëmtohet besueshmëria e BE-së, do të minohet stabiliteti dhe do të shkurajonin reformat e mëtejshme, ndoshta sjellin edhe një moment zhgënjimi në këto vende të rajonit, por edhe në BE dhe tek BE si institucion”, u shpreh Mogherini.
E pyetur nga gazetarja shqiptare Marsela Karapanxho nëse kriza aktuale politike do të ndikojë në vendimin e Këshillit të Ministrave të BE në 15 qershor, i cili ka fjalën e fundit për hapjen ose jo të negociatave, komisionerja e jashtme e Komisionit Europian, tha se në vlerësimin e saj teknik, kriza ka kudo, përfshirë edhe vetë në Ballkan, porse Shqipëria i kishte bërë tashmë detyrat e saj dhe se meritonte çeljen e negociatave.
“Vlerësimi është i qartë që të nisim negociatat sa më parë. Nëse i referohemi krizës, cili vend nuk ka kaluar krizë politike?! Dhe në Shqipëri sa herë që e vizitojmë ka kriza politike. Në vlerësimin tim kjo nuk është politike por teknike. Në vlerësimin tonë Shqipëria ka bërë detyrat e saj”, tha Mogherini.