Kryeministri Rama i është përgjigjur me batuta Presidentit Meta pas daljes së këshilltarit juridik, duke i bërë apel që të lexojë rezolutën dhe mos ta trashë më shumë zullumin e bërë me dekretin për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor. Përgjigjja e Ramës për Metën ka ardhur nga Prrenjasi, ku pavarësisht dekretit, mazhoranca vijon e vendosur fushatën elektorale.
“Më tha Taulanti që Presidenti kishte nxjerrë ca ekspertë që paskan thënë që ai po rishikon mundësinë e një date tjetër dhe deri atëherë kryetarët e bashkive do të rrinë në zyrë. Një tjetër pjellë e një imagjinate të dalë nga kontrolli për të çuar vijën e konfliktit matanë 30 Qershorit, që është vulosur dhe nuk e ndalon dot, as Ilir, as Saliu dhe as artisti me fallxhoren. Dua t’i them Ilirit, sot e filluam me të po e vijojmë me të, që ta lexojë me qetësi dhe kthjelltësi rezolutën e miratuar me 100 vota. Të reflektojë mbi opinionin e Kuvendit dhe të mos e trashë më tutje zullumin ku është futur, pasi ne dhe populli nuk ka shans të merren peng. E di që ai është në pozitë të vështirë, por nuk është burrëri që të mos reflektojë dhe të kërkojë ndjesë. Pavarësisht se nuk ka bërë një gabim, por një faj, sidoqoftë normalizon raportin e tij me fajin. Halla Sali nuk ndihmon dhe ngarkon edhe më shumë atë vetë edhe një situatë që e kanë shkaktuar ata me qëllim, por ne do të dalim pa vështirësi”, deklaroi Rama nga Prrenjasi, ku të enjten ka prezantuar kandidatin socialist për këtë bashki.
Por përtej batutave, toni i kryeministrit ishte i zbutur dhe i linte një shteg Presidentit Meta për reflektim. Kjo, pasi reflektimi i Metës kishte nisur në fakt më herët, kur pas takimit me ambasadorët amerikane, ai bëri një deklaratë të kujdesshme dhe të zbutur, ndërsa për të mbrojtur dekretet e tij të paprecedentë, nxorri të gënjente këshilltarin e tij ligjor.