“Mungon vizioni për të ardhmen”. Renzi largohet nga PD, krijon parti të re

AKTUALITET


Ish kryeministri italian Matteo Renzi ka njoftuar zyrtarisht largimin nga Partia Demokratike dhe krijimin e një partie të re të cilës i janë bashkuar 30 parlamentarë, përfshi këtu edhe ministren e Bujqësisë, Teresa Bellanova.

Lajmin e ka dhënë vetë Renzi në një intervistë për të përditshmen “La Repubblica”, ndërsa ka bërë të ditur se për këtë vendim të tij ka njoftuar përmes një telefonate kryeministrin Conte për të siguruar “mbështetje të plotë për qeverinë”.

“Sot Partia Demokratike është një tërësi rrymash. Unë kam frikë se nuk do të jetë në gjendje t’i përgjigjet  agresioneve të Salvinit dhe bashkëjetesës së vështirë me 5 yjet.  Parlamentarët që do të më ndjekin do të jenë rreth tridhjetë. Ne do të zgjerojmë bazën e konsensusit parlamentar”, është shprehur Renzi, i cili ka shtuar se PD-së i mungon vizioni për të ardhmen.

Ai gjithashtu e ka vlerësuar si “kryevepër taktike” nxjerrjen e Salvinit në opozitë, ndërsa ka bërë të ditur se për disa muaj do ta sulmojë atë ashpër.

Renzi ende nuk e ka bërë të ditur emrin e partisë së re, por ka thënë se do të ketë shumë gra në përbërjen e saj. Ai gjithashtu ka thënë se partia e re nuk do të kandidojë për zgjedhje rajonale ose bashkiake për të paktën një vit. “Do të marrim pjesë në zgjedhjet e para politike në 2023. Dhe pastaj në zgjedhjet evropiane në 2024. Pra kemi kohë për të marrë frymë”, është shprehur ai.

Matteo Renzi shihet si arkitekti kryesor i aleancës qeverisëse mes Partisë Demokratike e qendrës së majtë dhe Lëvizjes 5 Yjet, dy ish-armiq të betuar që kanë bashkuar forcat; duke vënë në opozitë liderin ekstremist të djathtë, Matteo Salvini.



Skip to toolbar