Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur seanca e shqyrtimit gjyqësor të rastit së vrasjes së Liridona Ademajt, 30-vjeçares së vrarë në nëntor të vitit 2023.
Në seancë janë të pranishëm tre të akuzuarit – Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtim Kokalla – familjarët e viktimës dhe avokati i familjes Ademaj, Leotrim Syla.
Sërish, Murseli është deklaruar i pafajshëm dhe Plava s’ka pranuar të deklarohet për fajësinë. Këtë herë, Kokalla – që në seancën fillestare, të mbajtur më 31 janar, kishte thënë se s’do të deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen – u deklarua i pafajshëm.
Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, tha se Prokuroria posedon numër të madh të provave për akuzat e ngritura, si dhe deklaratat e të akuzuarve të dhëna për Policinë e Kosovës.
“Gjatë krahasimit të deklaratave dhe provave të mbledhura, Prokuroria është bindur dhe po tentojmë ta bindim trupin gjykues dhe publikun se të akuzuarit kanë kryer veprën penale”, tha Përlinçeviq.
Prokurorja tha se, në deklaratën e dhënë për Policinë e Kosovës, Kokalla kishte thënë se Murseli i kishte kërkuar edhe një vit më herët t’ia vrasë bashkëshorten, por se ai kishte refuzuar. Sipas deklarimit të Kokallës në Polici, tri javë para vrasjes, Kokalla e ka gjetur personin që mund ta kryejë vrasjen, Plavën, në këmbim për 30 mijë euro.
Por, avokati i Kokallës, Ndrecë Dodaj, tha se provat e Prokurorisë nuk vërtetojnë prezencën e Kokallës apo se ai ka kryer veprën penale.
“Këto prova tregojnë vetëm faktin se i pandehuri Kokalla me Murselin jane familjarë, pra nip e dajë, dhe janë bashkëfshatarë”, tha Dodaj.
Përlinçeviq propozoi që si dëshmitarë të ftohen edhe Jeton Binaku, i cili u tha se ia kishte huazuar veturën Plavës në ditën e vrasjes, dhe Valon Lukaj, që u tha se i kishte siguruar banim Plavës pas vrasjes dhe më vonë edhe Kokallës.
Ndërkohë, avokatja e Murselit, Teuta Zhinipotoku, tha se beson që nuk ka prova të drejtpërdrejta që vërtetojnë se klienti i saj ka kryer apo urdhëruar vrasjen e Liridona Ademajt.
Zhinipotoku gjithashtu insistoi që shqyrtimi gjyqësor të vazhdojë vetëm pasi të jetë bërë ekzaminimi i statusit mendor të Murselit, për të cilën kërkesë tha se nuk kanë marrë përgjigje nga Prokuroria apo Gjykata.
Sipas saj, ky ekzaminim është kërkuar për të parë nëse Murseli është në gjendje ta kuptojë procedurën gjyqësore dhe të konsultohet me mbrojtësit për çështjen gjyqësore.
Avokati i Plavës, Skënder Gojani, tha se për gjendjen mendore të klientit të tij ka pranuar ekspertizë nga Instituti i Psikiatrisë dhe Forenzikës dhe se shkaku i gjendjes së rënduar psiqike të tij, ai nuk mund të deklarohet për fajësinë.
Ai tha se Plava ka qenë në një aksident dy muaj para vrasjes dhe se ai aksident “ka ndikuar në gjendjen e tij psiqike”.
Seanca për nisjen e shqyrtimit gjyqësor të këtij rasti ishte caktuar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar më 26 mars aktakuzën për vrasjen e Liridona Ademajt.
Gjatë seancës fillestare, fajtor ishte deklaruar i përfshiri i katërt në aktakuzën për vrasjen e Ademajt, Tom Dodaj. Ai ishte përfshirë në aktakuzë, pasi ia ka shitur armën Murselit, me të cilën ishte kryer vrasja e Liridona Ademajt. Dodaj u dënua me pesë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Në seancën fillestare, gjyqtarja e rastit, Fatime Dermaku, kishte thënë se, nëse gjenden fajtorë, Murseli, Plava dhe Kokalla mund të dënohen nga 10 vjet e deri me burgim të përjetshëm./rel