Mustafa, Kurtit: LDK nuk cakton data, fituesi s’duhet të vonohet

KOSOVA


Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se partia e tij është e angazhuar për marrëveshje për bashkëqeverisje me VV-në mbi bazën e rezultateve zgjedhore të gjashtë tetorit, por që nuk cakton data për formimin e qeverisë, pasi kjo i takon fituesit që nuk duhet të vonohet për të krijuar institucionet.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është angazhuar për marrëveshje për bashkëqeverisje me LVV mbi bazën e rezultateve zgjedhore të datës 6 tetor, të certifikuara nga KQZ. Nga këto zgjedhje ka dalë LVV si fitues relativ me 29 deputetë dhe LDK, parti e dytë, me 28 deputetë. Nga zgjedhjet nuk ka fitues absolut, i cili jep ose është gjeneroz ndaj palës tjetër, por kemi një situatë ku përgjegjësia ndahet ndërmjet atyre që synojnë të bëhen partnerë në qeverisjen e ardhshme. Prandaj VV duhet të heqë dorë nga diskursi se i ka dhënë diçka LDK-së. Lirisht mund ta themelojë qeverinë në qoftë se kanë votë të qytetarëve dhe mandate për ta bërë atë”, deklaroi Mustafa.


Sipas tij, LDK nuk ka kërkuar lëmoshë, por ka ofruar gatishmërinë për t’i shërbyer qytetarit në partneritet të plotë, në proporcion me mandatet në Kuvend. “LDK nuk cakton data. Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhe, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë. Por, LDK insiston që sa më parë të kemi formim të institucioneve dhe kjo nuk do të thotë se LDK domosdoshmërisht do të bëhet pjesë e qeverisë. Është obligim i fituesit të zgjedhjeve që të shmang vonesat dhe t’i eliminojë pengesat për formimin e institucioneve. Ne bëmë punën tonë, zhbllokuam procesin, përkundër që s’kishim marrëveshje e as njoftim se VV do të procedojë me Kryetarin e Kuvendit. Për hir të së vërtetës, LDK, jo që ka refuzuar por, ka vlerësuar se duhet ti takojë Kryeparlamentari me marrëveshje. Caktimi i mandatarit, marrja e mandatit për Kryeministër dhe gjetja e zgjidhjes për formimin e qeverisë, në këtë fazë, është detyrim i subjektit që renditet i pari në zgjedhje”, u shpreh kreu i LDK.




Skip to toolbar