Komentin e parë për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cilësuar edhe si një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Socialiste, Edi Rama zgjodhi ta bënte gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, mëngjesin e kësaj të marteje.
“Marrja e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një kryeqytet të tërë pa kokën që i kanë vënë mbi shpatulla çerek milion zgjedhësh, jo një here, por tre herë, por po marrim aktualisht, – është një ngjarje tejet e madhe, të cilën unë nuk mund ta kaloj me formulën 5-vjecare “Nuk kam koment, nuk kam koment”.
Drejtësia e re thotë Rama ka hyrë në një fazë që ka të gjithë mbështetjen e Partisë socialiste, mirëpo duhet të thuhen edhe opinionet kritike. Edhe pse tha se do të marrë kohën e nevojshme për të studiuar të gjithë dosjen e Veliajt, Rama foli edhe për intimidim të personave të marrë në pyetje dhe një process hetimor të cuditshëm.
“Njerëz të artit dhe të kulturës që u gjendën krejt pafajësisht në situata të denja vetëm për letërsinë e Franc Kafkës. Me sa kuptoj, këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm. Për ta thënë minimalisht siç e shoh, shumë të çuditshëm. shumë të çuditshëm. që ka pjellë një roman 400 faqesh afërisht ku autorët e veshur me pushtetin e drejtësisë, prokurori dhe gjykatësi paraprak bashkë kanë arritur në pikën që edhe nënën e një fëmije 6 vjeç ta dënojnë me arrest shtëpie pasi babain e kanë çuar në paraburgim.”
Thotë se llogaria që i kërkohet Veliajt është përtej të imagjinueshmes.
“Në akuzën që i bëhet kryetarit të Bashkisë , në atë romanin e madh, p.sh. flitet për shtëpinë e të vjehrrit, vite e vite më parë marrë në Qerret atje. Dhe akuzohet se meqë janë gjetur aty rrobat e djalit tënd, fëmija i vogël që shkon te gjyshja në plazh, është shtëpia jote. Mbase është e vërtetë, do ta shikojmë me prova. Por ama kur shkohet deri këtu që ti kërkohet dikujt llogari për vjehrrin e vdekur, që është bërë posedues i një shtëpie në kohën kur dhëndri nuk ka patur asnjë lloj pushteti është vërtet mbresëlënëse”
Ndërsa për ata që i kërkojnë dorëheqjen ka vetëm një përgjigje.
“Ajo që ishte vërtet interesante ishte se si u ekzaltuan nga arrestimi i Erionit, kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe si u turrëm për të kërkuar dorëheqjen time. Madje jo vetëm oxhaku i vjetër me blozë i partisë së bufit të kënetës dhe mangallët e “partiçkave” që ua kam thënë të re kanë vetëm moshën e pronarëve të tyre, asgjë tjetër nuk kanë. U përndezën nga era e mishit me gjak dhe kanë vënë shishet këtu poshtë si dikur në radhën e qumështit, që të vijnë e të kërkojnë dorëheqjen time sonte njëri, nesër tjetri se u bë deti kos tani dhe o burra të hidhemi tek kryeministria. “
Ironinë nuk e kurseu as për Berishën, e cila të hënë prezantoi La Cividën, menaxherin e fushatës së Trump , si arkitektin e fushates së Partisë Demokratike.
“Trumpistët e vetëshpallur të kënetës sonë opozitare kanë pasur dje një ditë “masturbimi kolektiv” tamam si ato adoleshentet që bëjnë dashuri me foton e një aktoreje filmash atje lart në mur, shpallën një fitore dje, sepse sollën me kushedi se sa lek, një konsulent që paska punuar edhe me presidentin Trump. Tani konsulentët atë punë kanë dhe të them të drejtën unë jam vetëm i lumtur për çdo të huaj që viziton Shqipërinë, se aty ku të tjerët numërojnë konsulentë, unë numëroj turistë. Luli për shembull kishte më shumë se një konsulent, e kishte partinë shumë më në formë dhe arriti një rezultat që këta do ta shohin me dylbi në 11 maj.”