Dy shtetasit Albert Xhoka dhe Sokol Masha u arrestuan, pasi akuzohen së kanë marrë peng një 23-vjeçar nga Maqedonia duke i kërkuar një shumë të madhe parash në këmbim të lirimit të tij. Ndërsa një tjetër persona nga Maqedoni po ndiqet në gjendje të lirë si bashkëpunëtor në rrëmbimin e të riut maqedonas.
Këta tre shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë hequr lirinë shtetasit maqedonas Davor Velefski, 23 vjeç dhe nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar një shumë prej 250 000 eurosh.
Sipas dëshmisë së 23-vjeçarit maqedonas Davor Velefski është marrë forcërisht dhe futur në makine nga Albert Xhoka dhe Sokol Masha duke i vënë pistoletën në kokë.
Gjatë kohës që mjeti ka qenë duke u ecur drejt liqenit të Farkës një Patrulle e Shqiponjave ka marrë sinjalizim se në mjet qarkullonin persona të armatosur dhe i kanë bërë shenjë mjetit të ndalonte, por autorët nuk janë bindur. Policia është vënë në ndjekje të mjetit, duke i arrestuar disa km më tej. Një prej autoreve u arrestua në mjet, ndërsa tjetri u arratis në këmbë, por u kap pas disa minutash. Në mjet u gjet edhe 23-vjeçari, i cili i tregoi policisë ngjarjen.
Të arrestuarit hodhën poshtë akuzat pasi pretendonin se nuk ishte pengmarrje, por i kishin bërë presion 23-vjeçarit për kthimin e një borxhi. Gjithë skema e pengmarrjes u zbulua nga policia kur 23-vjeçari përmendi bashkëkombësin e tij Subi Ethemi, i cili po procedohet në gjendje të lirë, luante rolin e ndërmjetësuesit mes 2 autorëve dhe familjarëve të 23-vjeçarit për dorëzimin e parave.
Arrestimi i dy autorëve u bë gjatë operacionin të koduar “Lake” dhe do të përballen me veprat penale “Heqje e padrejtë e lirisë” dhe “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Gjithashtu po procedohet në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzim krimi”, shtetasi Subi Ethemi, 50 vjeç, lindur dhe banues në Strugë të Maqedonisë.