Paraditen e të hënës, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ishte në Lezhë. Ai pa nga afër gjendjen e krijuar pas tërmetit si dhe bisedoi me banorët, banesat e të cilëve kanë pësuar dëme. Një ndër personat që Kryeministri takoi, ishte një zonjë, nëna e 12 fëmijëve.
Ajo tregoi se në momentin që ra tërmeti ishte vetëm me vjehrrën dhe dy fëmijët në banesë, ndërsa u shpreh se apartamenti ishte plasaritur. Pasi e dëgjoi, kreu i Qeverisë i kërkoi nënës së 12 fëmijëve të largohej nga banesa dhe të qëndronte në hotel deri në përfundimin e vlerësimit të dëmeve dhe gjendjes së banesave.
“Nuk bëhen pallatet menjëherë. Po bëjmë ditë natë isnpektimin. Nuk i ka as Franca mijëra inspektorë. Ça ka ik ka ik. Të lutem me durim. Të tjerët i kanë çu robt e shpisë me kolona varrimi. Mos e harro këtë. A i ke pa uraganet në Amerikë. Ne po bëjmë maksimumin. Dua të jesh mirë. Mu shfryj, por qetësohu dhe duro”, iu drejtua kryeministri banorëve.
Ndërkohë banorja rrëfeu se tërmeti e ka tronditur shumë. “Kam ra prej tërmetit nga shkallët. Zoti më ka sjell këtu. Jam nënë me 12 fëmijë. Jetoj në Adriatik. Kam ngel me plakë 92 vjeçe. Jam pensioniste, dhe jetoj me 2 femijë të vegjël. Jam nënë heroinë, te unë të vinte. Pse nuk vini në Adriatik. Na ka bo gjysëm robi”, tha banorja.
Më herët Kryeminsitri takoi disa gra të zonës së Thumanës, të akomoduara në Shëngjin, që tashmë janë duke marrë asistencë psikologjike për të kaluar traumat e tërmetit. Kreu i Qeverisë i pyeti ato për shërbimin që u ofrohej, ndërsa ka shkëmbyer dhe batuta. “Unë me gratë nuk lodhem kurrë, burrat me shkatërrojnë”, tha Rama me humor.