Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial ka ushtruar kontrolle në 130 pika karburantesh në Tiranë, duke vendosur mbylljen e dy prej tyre, për shkak se tregtonin karburant të një cilësie të dobët dhe jashtë standardeve. E pranishme në një prej këtyre kontrolleve ka qenë dhe vetë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila ka deklaruar se do të ketë zero tolerancë për këdo që abuzon.
Ajo tha se ky aksion i gjerë është një tjetër provë e vendosmërisë së Qeverisë Shqiptare për t’i dhënë fund informalitetit, si atij fiskal ashtu edhe atij cilësor.
“Është e rëndësishme që të gjitha subjektet të kuptojnë që ka zero tolerancë përsa i përket informalitetit qoftë ky fiskal, qoftë ai cilësor. Është shumë e rëndësishme që ne të kemi një bashkëpunim të mirë ashtu siç kemi dhe sot këtu mes Inspektoratit Teknik dhe Drejtorise se Pergjithshme te Doganës. Janë konstatuar shkelje përsa i përket cilësisë, kemi marrë masa. Fakti që sot përballemi me një numër më të vogël shkeljesh, në 130 subjekte të kontrolluara gjatë natës së mbrëmshme kanë rezultuar vetëm dy me probleme, tregon se lufta kundër informalitetit është duke dhënë rezultate shumë pozitive dhe të rëndësishme”, u shpreh ministrja Balluku.
Duke siguruar se aksione të tilla nuk do të jenë vetëm në periudha të caktuara por në mënyrë të përhershme, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë paralajmëroi se nuk do të falet asnjë subjekt që konstatohet në shkelje duke u bërë thirrje atyre që të plotësojnë kushtet teknike dhe ato ligjore ku përcaktohet qartë ushtrimi i këtij aktiviteti.
“Unë u bëj thirrje të gjithëve. Ne do jemi në terren. Të mos përballemi me situata të tilla. Nuk është synimi ynë të kapim sa më shumë subjekte. Synimi ynë është të kontrollojmë këdo dhe të kemi rezultate të mira dhe të pranueshme sipas kritereve, por në rast se këto kritere nuk përmbushen do ketë pasoja kështu siç ka pasur ky subjekt sot i cili është bllokuar dhe nuk do të mundet të funksionojë”, nënvizoi ministrja Balluku.
Që prej nisjes së aksionit antiinformalitet janë bllokuar nga ana e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial afro 10 mijë ton karburant. Gjatë këtyre aksioneve janë penalizuar me gjoba 24 subjekte tregtare për shkelje të cilësisë dhe sigurisë së tregtimit. Për sasinë e karburantit, e cila është konstatuar si e papërshtatshme për t’u tregtuar është vendosur për t’u kthyer në vendet e origjinë ndërsa në disa raste ajo është kthyer për ripërpunim në rafineri.