Analisti Mentor Nazarko thotë se kryeministri Edi Rama, ka zhvendos boshtin ideologjik të Partisë Socialiste, duke e kthyer këtë forcë politike, në parti të të gjithëve.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Nazarko u shpreh se Rama ka reflektuar dhe ka sjellë gjak të ri në PS.
Ndërsa për Partinë Demokratike, Nazarko deklaroi se nuk po mban premtimin që ka bërë, mbajtjen e primareve.
“Ajo që po shoh, është që megjithatë, ndoshta Rama, nisur nga sondazhet që bën vetë, nisur nga një fakt tjetër që dëgjova, lista e atyre që janë regjistruar për të votuar nga diaspora, është një mundësi, që partitë të verifikojnë nëse këta njerëz që regjistrohen, janë apo jo në databazën e tyre. Dhe rezulton, nga një burim që kam unë nga PS, se një pjesë nuk janë në databazë. Është prurje e re. Ajo që duhet analizuar, nisur nga oferta e partive të vogla, krahasuar me ato të partive të mëdha, është e para është çështja e boshtit ideologjik të tyre, e dyta është çështja e vetëkorrigjimit të partive të mëdha, nisur nga presioni i partive të vogla.
Çfarë ka ndodhur? Rama është figurë që qëndorn gjatë në pushtet, por është dikush, që për shkak të raporteve me Tony Blair, që herët, është fokusuar, e ka zhvendosur boshtin ideologjik të partisë. Është luhatur për të qenë parti e të gjithëve. Së dyti, ka reflektuar për të sjellë gjak të ri në partinë e vet. Ai po bën përpjekje për ta ndryshuar prurjen e vet parlamentare, ai synon të ndryshojë ofertën e vet elektorale. PD nga ana tjetër, nuk po bën primaret. Për të komunikuar me diasporën, është thirrur një figurë si Jozefina Topalli. Por një diasporë, e cila është e re në moshë, të komunikosh me një figurë si zonja Topalli, është problematike, e pamjaftueshme”, theksoi ai./abcnews.al