Futbolli shqiptar ka humbur një tjetër personalitet, Fatmir Frashërin, që ka shkruar emrin në historinë e klubeve shqiptare si futbollist dhe trajner i Tiranës. Lajmin për ndarjen nga jeta e ka dhënë klubi i Tiranës, ekip me të cilin Frashëri ka pasur të lidhur gjithë karrierën e tij sportive në futboll. “Është ndarë sot nga jeta Fatmir Frashëri, një nga ikonat e familjes bardheblu. Ish futbollist, trajner dhe pjesë e rëndësishme e historisë së klubit. Tirana i gjendet pranë familjes Frashëri në këto momente të vështira. Homazhet do të mbahen nesër, nga ora 12:30-14:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”, shkruhet në njoftimin e klubit bardheblu. Famtir Frashëri lindi në 3 prill të vitit 1941 n Tiranë. Karrierën sportive e nisi me të rinjtë e klubit bardheblu në vitin 1957, me të cilët luajti një vit si mbrojtës i djathtë. Një vit më vonë, Frashëri grumbullohet në ekipin e parë të Tiranës (aso kohe 17 Nëntori), duke luajtur deri në vitin 1962.
Më pas, ai aktivizohet për dy sezone me Partizanin, duke u rikthyer përsëri në vitin 1964 te 17 Nëntori, ekip me të cilin do të mbyllte dhe karrierën sportive si futbollist në vitin 1972. Nga viti 1963 deri në vitin 1970, Fatmir Frashëri është grumbulluar rregullisht me ekipin kombëtar, me të cilin ka luajtur 12 ndeshje. Më pas, Frashëri nis karrierën si trajner, duke marrë drejtimin e Tiranës nga viti 1975 deri në vitin 1980. Më pas ai drejton disa ekipe si Naftëtari, Besa dhe Dinamo, për tu rikthyer përsëri si trajner i Tiranës në vitin 1990.91, 1993/94 dhe 2003.
Presidenti i Republikës Ilir Meta, në një reagim për ndarjen nga jeta të Fatmir Frashërit, shprehet “Familja Frashëri, që i dha aq shumë personalitete kombit tonë në të gjitha fushat, natyrisht që do t’i jepte një gjigand edhe në fushën e blertë por edhe si trajner. Si lojtar, trajner e President dinjitoz i Tiranës, Fatmiri ynë i dashur do të mbahet mend përjetë për virtuozitetin dhe talentin e rrallë, aq sa me të drejtë për të thuhet se nuk ishte futbolli që e bëri të madh, por ishte pikërisht ai që i dha kuptim këtij sporti si rrallëkush, duke qenë njëherësh sportist i dalluar dhe intelektual i spikatur”, shkruan Meta ndër të tjera.