Ndikimi rus, Bushati propozon amendamente, ndryshon rezolutën e PS

AKTUALITET


Gjatë mbledhjes së Komisionit të Jashtëm Parlamentar, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati kundërshtoi projekt rezolutën e depozituar në Kuvend, nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla për ndikimin rus apo shteteve të tjera në proceset zgjedhore në Shqipëri. Ndërsa gjatë të enjtes Bushati ka hedhur një hap tjetër duke depozituar në Kuvend amendamentet e tij për këtë rezolutë duke i ndryshuar titullin dhe disa nene. Midis të tjerave Bushati kërkon që SHISH, AMA, AKEP dhe institucione të tjera të tjera ligjzbatuese që të raportojnë mbi kërcënimet, sikur parashikohet në rezolutë. Kryesisht amendimet e Bushatit bazohen në tre shtylla kryesore, në  legjislacionin në fuqi dhe institucionet vendase; angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë; media dhe edukimi.

Edhe gjatë debateve që u zhvilluan të mërkurën në Komision Bushati theksoi se projekt rezoluta duhet të jetë e konsultuar me qeverinë dhe me të gjitha strategjitë e miratuara nga qeveria shqiptare.

Ditmir Bushati propozon ndryshimin e titullit të projektrezolutës duke propozuar që të bëhet, “Projektrezolutë “Për parandalimin e ndërhyrjeve të huaja të mundshme në proceset zgjedhore dhe dezinformimit si mjet i ushtrimit të influencës në jetën shoqërore” dhe jo siç ishte “Projektrezolutë për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimit në proceset demokratike kombëtare”.

Sipas tij, titulli aktual i projektrezolutës së propozuar nga deputeti Balla, “është marrë nga Rezoluta e Parlamentit Europian, miratuar në 10 tetor 2019, e cila reflekton një realitet tjetër që lidhet me formën e organizimit të BE-së. Për më tepër, Rezoluta e miratuar në Parlamentin Europian është shumatore e një sërë aktesh e dokumentesh të miratuara nga institucionet e BE.

Më tej propozimet e Bushatit parashikojnë ndryshime në preambul të projektrezolutës dhe rekomandimet që lihen për kuvendin. Propozimet e Bushatit synojnë të reflektohet realiteti në një pjesë të vendeve anëtare të NATO-s, të cilat janë përballur me fenomene të këtilla.

Ish-kreu i diplomacisë shqiptare propozon amendime të projektrezolutës në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë me synim harmonizimin konceptual dhe terminologjik me konceptin strategjik të NATO-s, SHBA-ve, BE-së dhe OSBE-së.

Në dokumentin e depozituar në Kuvend, Bushati bën propozime edhe në lidhje me çështje të dezinformimit dhe me rregullimin e kuadrit ligjor për mediat elektronike.

“Inkurajon institucionet përgjegjëse që të angazhohen në një strategji edukative në bashkëpunim me shoqërinë civile për të rritur ndërgjegjësimin mbi pasojat e fenomeneve që kanë të bëjnë me dezinformimin, lajmet e rreme dhe gjuhën e urrejtjes, dhe nga ana tjetër propozon dhe disa nisma që kanë të bëjnë me mediat. 

Institucionet përgjegjëse të marrin masat për hartimin e kuadrit ligjor për adresimin e çështjeve të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e mediave elektronike duke respektuar parimet kushtetuese mbi lirinë dhe të drejtën e shprehjes, në përputhje me standardet e BE-së, rekomandimet e OSBE-së, të bazuara mbi parimin e vet-rregullimit, proporcionalitetit dhe nevojën për unifikimin e masave për mediat elektronike dhe ato audiovizuale, duke përcaktuar qartë subjektet që preken nga ligji dhe strukturën që do të kontrollojë zbatimin e ligjit”, propozon Bushati.



Skip to toolbar