Propozimi i ekspertëve: Administrata zgjedhore, “shkollë” për nëpunësit civilë

AKTUALITET


Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore ka diskutuar në mbledhjen e së enjtes propozimet e ekspertëve në lidhje me depolitizimin e administratës zgjedhore. Në draftin e tyre ekspertët propozojnë që anëtarë të komisioneve të votimit dhe numërimit të jenë punonjës që vijnë nga administrata shtetërore, nga shërbimi civil të cilët do t’i nënshtrohen trajnimeve dhe më pas do të certifikohen si zyrtarë zgjedhore dhe nuk do të kenë asnjë lidhje me partitë politike. Ky propozim i ekspertëve është vlerësuar nga dy bashkëkryetarët e komisionit parlamentar, si nga Rudina Hajdari ashtu edhe nga Damian Gjiknuri të cilët folën për mediat në përfundim të mbledhjes, dhe njoftuan se ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të shoqërohen edhe më ndryshime në Ligjin për Shërbimin Civil. Gjiknuri sqaroi se punonjësit e shërbimit civil do ta kenë të detyrueshëm trajnimin për administrimin zgjedhor njëlloj siç kanë të detyrueshme diplomën e universitetit për të marrë statusin. Ndryshe tha ai, do të largohen nga puna.

“Ka ardhur momenti që Shqipëria të ketë një administratë zgjedhore të depolitizuar. Pasi të ketë një proces trajnimi, këta njerëz do të certifikohen . Ata do të zgjidhen me short dhe nuk do të propozohen nga partitë politike. Ne e vlerësojmë këtë proces që duhet thënë se është vizionar dhe përbën një risi që duhet vlerësuar. U diskutua edhe skema e re e KQZ. Qëllimi ka qenë që të ndahet roli ekzekutiv totalisht i shkëputur nga partitë politike.  


Paketa që diskutuam sot lidhet me ndryshime në shërbimin civil. Ai që është në shërbimin civil e ka të detyrueshme të shkojë në trajnimin për kodin zgjedhor. Ai që nuk bën trajnimin humbet vendin e punës. Ashtu siç është arsimi i lartë i detyrueshëm për cilindo që konkurron për statusin e nëpunësit civil ashtu do të jetë edhe certifikimi për administratën zgjedhore. Do të bëjmë ndryshime në ligjin për shërbimin civil”, tha Gjiknuri.

Ndërsa Hajdari tha se ende nuk është arritur konsensusi i plotë për këto propozime megjithëse e vlerësoi si risi.

“Është një pikënisje e duhur por nuk kemi arritur një konsensus lidhur me amendimet që janë bërë për administratën zgjedhore. Profesioni i komisionerëve në të gjitha nivelet është tejet i rëndësishëm sepse nuk do të jetë thjesht një përzgjedhje e nëpunësve civilë gjë që kërkon që paralelisht statusi për nëpunësin civil të ndryshohet sepse në të kundërt kjo skemë që kanë prezantuar ekspertët nuk mund të funksionojë. Kemi akoma shumë punë për të bërë siç është ndryshimi i ligjit për nëpunësin civil. Një pikë tjetër është përgjegjshmëria që këta individë do të kenë në momentin që do të zgjidhen si anëtarë të KQZ. Një risi tjetër është KAS. Kërkohet që të kenë përgjegjshmëri shumë të lartë. Njerëz jashtë strukturës së shërbimit civil mund të aplikojnë. Kjo ka si synim që të jetë një formulë për 30 vitet e ardhshme”, tha Hajdari.

Gjiknuri gjithashtu theksoi se mirëpret çdo propozim që mund të paraqesë Partia Demokratike duke thënë se ajo është e mirëpritur në Komision.

Ndërsa i pyetur për fenomenin e shit blerjes së votës, Gjiknuri tha se fenomenet kriminale nuk ndalohen nga Kodi Zgjedhor, por ndëshkohen me politikë penale.

“Fenomenet kriminale nuk parandalohen nga Kodi Zgjedhor. Këto janë procese që ndëshkohen me politikë penale. Shit blerja e votës është fenomen kriminal dhe e lufton vetëm procesi penal, ndryshe mbetemi vetëm në kuadrin e fjalëve”, tha Gjiknuri.

Komisioni parlamentar për reformën zgjedhore do të mblidhet sërish javën e ardhshme.




Skip to toolbar