Tre punonjës policie në Kavajë janë dërguar për ndjekje penale nga SHÇBA, pasi rezultojnë se me veprime ose mosveprime kanë favorizuar dhe lejuar ndërtimet pa leje në këtë zonë. Një operatore e zyrës së shërbimit për qytetarët në Komisariatin e Kavajës duket se ka pozitat më të rënda, pasi ajo ka ndërhyrë edhe te kolegët për të abuzuar me detyrën, ndërsa dy kolegët e tjerë dyshohen vetëm për lejimin e ndërtimeve pa leje
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme vuri në dijeni se ka ekzekutuar masat e sigurisë për 3 punonjës policie në Komisariatin e Policisë Kavajë, në funksion të një procedimi penal nisur disa muaj më parë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë.
Sipas të dhënave punonjësja e policisë me iniciale F. Gj., me detyrë Operatore pranë Zyrës së Shërbimit për Qytetarët në Komisariatin e Policisë Kavajë është lënë nga gjykata me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, si person i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”. Ajo dyshohet se duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra në këtë funksion, në kundërshtim me ligjin, favorizonte shtetas të ndryshëm gjatë përpilimit të dokumentacionit për pajisjen me pasaportë dhe ndërhynte për favorizime të ndryshme në sferën e ndërtimeve pa leje.
Ndërsa dy punonjësit e tjerë, inspektorët F.H. dhe S. B., me detyrë Ndihmës/specialistë për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Kavajë, janë pezulluar nga detyra për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ata dyshohen se në mospërmbushje të detyrës kanë lejuar dhe nuk ka raportuar ndërtimet pa leje. Hetimi, i cili ende vazhdon, u krye me metoda speciale duke dokumentuar me prova ligjore veprimtarinë e kundërligjshme të këtyre punonjësve të policisë.