Ra tavani në QS? Veliaj: Fake News i PD

AKTUALITET


Partia Demokratike pretendoi të hënën se në një nga konviktet e rikonstruktuara të Qytet Studentit, kishte rënë tavani. Bashkia e Tiranës hodhi poshtë akuzat e Partisë Demokratike, me anë të një reagimi zyrtar të hënën pasdite. Në deklaratën e Bashkisë, lajmi i publikuar nga PD cilësohet “fake news”, ndërsa shprehet se “pas tërmetit të 21 qershorit, në Qytetin Studenti pati dëme materiale, të cilat janë verifikuar nga Instituti i Ndërtimit”.

“Nisur nga një lajm i pavërtetë që qarkulloi sot në një media pranë Partisë Demokratike, lidhur me dëmtimin e Godinës nr. 20 në Qytetin Studenti, Bashkia e Tiranës dëshiron të sqarojë se: Pas tërmetit të fortë të 21 Qershorit, në Qytetin Studenti ka patur dëme minimale, të tipit plasaritje suvaje, si në shumë ndërtesa në zonën e prekur nga tërmeti. Bashkia e Tiranës kërkoi një verifikim të specializuar të dëmtimeve nga Instituti i Ndërtimit, i realizuar më datë 27 Shtator 2019, i cili konstatoi dëme në rifiniturat e objektit, si plasaritje dhe çarje të suvatimeve, pa probleme për strukturën mbajtëse të godinës”, thuhet në deklaratën e Bashkisë.


Ndërkohë, Bashkia e Tiranës publikon gjithashtu dhe aktin e ekspertimit nga Inspektorati i Ndërtimit, ku thuhet se “ka dëme në rifiniturën e objektit, vërehen plasaritje dhe çarje të suvatimeve”, thuhet në aktin e konstatimit, ndërsa shtohet se “godina nuk paraqet dëme në strukturë por vetëm në rifiniturë. Të merren masa për riparimin e tyre”, thuhet në aktin e konstatimit të Intitutit të Ndërtimit. Duke evidentuar investimet që janë kryer në godinat e strehimit të studentëve në Qytetin Studenti, Bashkia e Tiranës shprehet se gjatë qeverisjes së PD në vitet 2005-2013, investimi i vetëm i tyre në Qytet Studenti është lyerja me gëlqere e mureve të godinave dhe asgjë më shumë.

“Por, sot një fake news i qëllimshëm i medias pranë Partisë Demokratike, nxorri në një konferencë absurde një zëdhënëse të PD, për të mashtruar për herë të dytë brenda ditës shqiptarët. Studentët, por edhe qytetarët e Tiranës, duhet ta dinë se gjatë qeverisjes së PD në vitet 2005-2013, investimi i vetëm i tyre për Qytetin Studenti është lyerja me gëlqere e mureve të godinave dhe asgjë më shumë. Deklarata e PD është po aq qesharake sa edhe vetë lidershipi i saj, që siç duket ka kapitulluar në dëshpërim të plotë, duke u kthyer në një portal mashtruesish profesionistë, tashme të dënuar edhe nga gjykata, dhe prodhuese fake news-esh”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.




Skip to toolbar