Ndryshimet klimatike, 11 mijë shkencëtarë u drejtohen liderëve botërorë


Ndryshimet klimatike vunë në alarm 11 mijë shkencëtarë, të cilët dolën me rekomandime se si të dilet nga kjo krizë globale. Kjo deklaratë u nënshkrua nga 11258 shkencëtarë nga 153 kombe nga çdo kontinent dhe u publikua në revistën Bioscience. Shkencëtarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme si dhe japin këshilla se si të veprojnë liderët e botës për të “shpëtuar botën”.

Me titullin, “Paralajmërimi i shkencëtarëve mbi emergjencën e klimës” janë dhënë 6 masa apo rekomandime që udhëheqësit botëror duhet të nisin t’i zbatojnë tani. Rekomandimet kanë të bëjnë me sektorin e energjisë, uljen e emetimeve të gazit metan, hidrokarbureve dhe ndotësve të tjerë në ajër si dhe shtimi i bimësisë dhe gjelbërimit në botë. Ja 6 rekomandimet që japin shkencëtarët në të gjithë botën.

1. Sektori i energjisë. Ne duhet të zëvendësojmë karburantet fosile me burime të rinovueshme me emetim të ulët, të lëmë mënjanë rezervat e mbetura të gazit dhe naftës nëntokësore, të eliminojmë subvencionet ndaj kompanive të naftës dhe të vendosim taksa të karbonit mjaft të larta për të dekurajuar përdorimin e hidrokarbureve.

2. E dyta përfshin zvogëlimin e shpejtë të emetimeve të metanit, hidrokarbureve dhe ndotësve të tjerë të klimës. Kjo mund të zvogëlojë tendencën globale të ngrohjes në afat të shkurtër me mbi 50%.

3. Pastaj, e treta, vjen natyra. Sipas ekspertëve, ekosistemet si pyjet, kullotat, ligatinat duhet të restaurohen dhe mbrohen dhe këto ekosisteme mund të përdoren për reduktimin e dioksidit të karbonit atmosferik.

4. Varet nga ushqimi, rekomandimi i katërt. Si në raportin e fundit të IPCC, mënyra se si ne hamë po gërryen rezervat e planetit. Është e nevojshme të kalojmë në një dietë më të ekuilibruar bazuar në perime (veçanërisht uljen e sasive të mishit të kuq). Ndryshimi i dietës do të zvogëlonte shumë emetimet e gazrave të metanit dhe gazrave të tjerë serë.

5. E pesta prek ekonominë. Ka ardhur koha që të shndërrohemi në një ekonomi pa karbon. Vetëm në këtë mënyrë ekosistemet mund të shfrytëzohen në mënyrë që të ruajnë qëndrueshmërinë e burimeve të biosferës për një kohë të gjatë.

6. Rritja e popullsisë. Ne duhet të ndryshojmë kursin sepse popullsia njerëzore akoma rritet me mbi 200,000 njerëz në ditë. Kjo duhet të bëhet duke aplikuar qasje që garantojnë drejtësi sociale dhe ekonomike.



Skip to toolbar