Ministrja e Financave dhe Ekonomisë ka nxjerrë së fundi një udhëzim të ri për dëmshblërblimin financiar të ish të përndjekurve që parashikon rregulla të reja për ndarjen e kësteve të parave.
Udhëzimi parashikon mundësinë se si mund ta marrin të gjithë dëmshpërblimin me një këst kategoritë që e përfitojnë sipas ligjit dhe si veprohet në rastet kur ndahet në këste të tjera.
Në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë nga regjimi komunist do të ndahet në mënyrë proporcionale për të gjithë përfituesit, me kusht që kësti i dëmshpërblimit të mos jetë më i madh se një milion lekë, raporton Shqiptarja.com.
Për të gjitha subjektet përfituese parësore, kur vlera totale e dëmshpërblimit është mbi tetë milionë lekë, do të vijohet me pagesën e këstit pasardhës deri në shpërndarjen e plotë të shumës së miratuar.
Në rast se vlera totale e miratuar për të gjithë përfituesit është deri në një milion lekë, shpërndarja e dëmshpërblimit do të kryhet me një këst të vetëm, pavarësisht fazës në të cilën ndodhet shpërndarja e dëmshpërblimit. Me kryerjen e pagesës së dëmshpërblimit, për të gjithë përfituesit, brenda këstit më të ulët, fillon pagesa e këstit pasardhës. Ky mekanizëm do të përsëritet deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit.
Vlera e detyrimit të njohur nga shteti shqiptar dhe i papaguar për ish të përndjekurit politikë deri në fund të vitit 2018 është 33 miliardë e 381 milionë lekë, ose rreth 300 milionë dollarë. Nga llogaritjet e bëra nga auditi i KLSH rezulton se nëse buxhetimi i këtij fondit do të vazhdojë me këtë rritëm, ky detyrim do të mund të shlyhet vetëm pas rreth 33 vitesh.
Nga viti 2009, kur ka filluar procesi i përllogaritjes së masës së dëmshpërblimit, si dhe shpërndarja e kësteve përkatëse pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe deri në fund të vitit 2018 janë miratuar në total 27 VKM për shpërndarjen e dëmshpërblimeve. Rezulton se për vitin 2018 është miratuar VKM nr. 256, datë 09.05.2018, për 142 dosje në vlerë totalë dëmshpërblimi 263,686,873 lekë, prej të cilave janë paguar 104 dosje në vlerën 57,800,055 lekë, raporton Shqiptarja.com.