Në 100-vjetorin e Tiranës, nis puna për Teatrin e ri, Veliaj: E kemi amanet

AKTUALITET


Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj nuk heq dorë nga teatri i ri, pavarësisht se çështja është në dorën e Gjykatës Kushtetuese pas padisë së depozituar dorazi për herë të parë nga një president. Veliaj është shprehur të martën se në 100 vjetorin e saj Tirana do të nisë punën për të pasur teatrin e ri, që është sipas tij një amanet nga aktori i njohur i skenës Kadri Roshi, ndërsa ka sjellë në vëmendje deklaratën e aktorit që thoshte se duhet një teatër ku aktorët të mos shkojnë me batanije në prova. “Amaneti i Kadri Roshit ishte një teatër i ri. Të ketë një teatër të ri ku nuk plevitosemi, ku nuk shkojmë me batanije në shfaqje, ku nuk punojmë në një mullar kashte me shkrepëse të presuara, siç bëhej teatër para 100 viteve. Tirana në 100 vjetorin e saj do të fillojë punën për Teatrin e ri. Ndaj, jo vetëm një emër i nderuar si Migjeni për Bulevardin e ri të Kasharit, por edhe një emër i nderuar për rrugën Kadri Roshi, të cilit do i mbahet amaneti deri në fund për Teatrin e ri Kombëtar m’u në zemër të qytetit të Tiranës, siç i ka hije një kryeqyteti që tani bëhet 100 vjeç”, tha Veliaj.

Këtë deklaratë Veliaj e bëri në hapje të bulevardit “Migjeni”, një investim i rëndësishëm që lidh Unazën e Re me rrugën “Tre Dëshmorët” dhe Yzberishtin.

Veliaj nënvizoi se ndërtimi i këtij bulevardi është treguesi më i mirë i asaj që mund të bëhet kur ka bashkëpunim. Duke sjellë në vëmendje bllokimin tek zona e Astirit, ai iu drejtua me një mesazh opozitës, duke theksuar se punët e politikës nuk duhen ngatërruar kurrsesi me ato të qytetit. “Ky është një segment që bie pingul me Unazën e Madhe të Astirit. Le të bëjmë një krahasim: si u punua këtu dhe si nuk punuam dot tek zona e Astirit. Pra, puna ecën kur ka bashkëpunim, kur ka dashamirësi, kur nuk e ngatërrojmë politikën me asfaltin, kur nuk e ngatërrojmë partinë me ndriçimin, kur nuk e ngatërrojmë sherrin e ditës me infrastrukturën rrugore, nga e cila përfitojnë fëmijët tanë. Ndaj, ftesa ime për të gjithë ata që deri dje e kanë penguar Unazën e Madhe është: mos e ngatërroni politikën me fatin e kalamajve. Politikanët shkojnë e vijnë, zgjedhje do ketë gjithmonë, por të ngatërrosh rrugën me punët e partisë, do të thotë të dëmtosh me duart e tua fatin e familjes tënde”, deklaroi kryebashkiaku.

Kryebashkiaku theksoi se ky 100-vjetor do të shënojë një bum investimesh nga qeveria dhe nga bashkia, që do të sjellë një fuqizim ekonomik. “Pas tërmetit do të ndërtojmë jo vetëm më mirë dhe më me cilësi edhe shkollat, edhe kopshtet, edhe çerdhet e reja, që kemi filluar e që do të fillojmë shumë shpejt këtu në Kashar, por besoj se do të na japë edhe një fuqi ekonomike. Do të shpenzojë para qeveria, bashkia e me këto para do të punësohen njerëz, do të sjellin biznese dhe do të rrisin vlerën e pronës. Si bashki kemi përgatitur të bëjmë një seri të madhe investimesh”, shtoi ai.



Skip to toolbar