Meta duket i vendosur dhe plot shpresë se do të qëndrojë në krye të Presidencës deri në përfundim të mandati të tij më 24 korrik në 2022. Me një gjuhë të zbutur dhe të qetë, kreu i shtetit vlerësoi me nota pozitive praninë e tij në Komisionin Hetimor, duke e cilësuar se “ndihej i lumtur që më në fund u rikthyer sërish në Kuvend pas dy vitesh mungesë.” Meta paraqiti “mbrojtjen e tij” për rreth dy orë mëngjesin e të hënë në Komisionin Hetimor, i cili ka nisur një proces hetimi për shkarkimin e tij.
Me një deklaratë ironike por edhe sfiduese për mazhorancës që ka nisur ndaj tij procedurat e shkarkimit, Meta thekson se të gjitha aktet e tij vijnë në mbrojtje të Kushtetutës, demokracisë dhe interesit publik, fjalë që i përsëriti disa herë edhe gjatë Komisionit Hetimor.
“Shumë i lumtur që m’u dha sot mundësia të kthehem në Parlament pas një mungese gati dy vjeçare, për të rikonfirmuar edhe njëherë se deri në 24 korrik 2022, Institucioni i Presidentit do të jetë një kështjellë e pamposhtur në mbrojtje të Kushtetutës, demokracisë, pluralizmit, interesit kombëtar dhe atij publik, me qëllimin e vetëm anëtarësimin e shpejtë dhe pa vonesa të Shqipërisë në Bashkimin Europian.” –shkruan Meta, i cili e shoqëron shkrimin me një video në mbyllje të seancës së Komisionit Hetimor, ku u shprehën pafundësisht falenderime mes Metës, Manjës e të tjerëve me një gjuhë paqësore dhe thuajse plot dashuri, sikur të ishin takuar aty për një bashkëbisedim miqësor dhe jo për hetimin e tij.