“Do digjnin Kuvendin”, PD përplaset me Metën, i kujton Hitlerin

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta deklaroi të hënën përpara Komisionit Hetimor Parlametar, se ‘kishte informacione se në mitingjet e opozitës do të digjej Parlamenti’. Kreu i shtetit u shpreh përpara deputetëve se këto informacione i kishte marrë në rrugë zyrtare dhe jo zyrtare, ndaj sipas tij, ishte munduar të ‘shmangte një `97-të tjetër’. Mirëpo, dekaratat e Metës nuk janë pritur mirë nga Selia Blu. Partia Demokratike ka reaguar pasditen e të hënës me anë të Sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi. Me anë të një deklarate shpërndarë nga zyra e shtypit e PD-së, mësohet se Bardhi i është përgjigjur interesit te mediave, duke u shprehur se PD dhe opozita nuk kanë pasur kurrë një plan për djegien e institucioneve.

“Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar nuk ka pasur kurrë asnjë plan për djegien e institucioneve, pavarësisht se ato nuk përfaqësojnë interesin publik, por interesin e një grupi oligarkësh dhe kriminelësh të lidhur me kryeministrin e vendit. Partia Demokratike fton mediat të hapë arkivat e javëve përpara 30 qershorit dhe do të gjejë se opozita dhe kreu i saj, Lulzim Basha, ka denoncuar skenarët e dhunshëm të Edi Ramës, që ka patur për qëllim t’i përdorë më pas kundër PD dhe opozitës”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Partisë Demokratike.


Më tej, Partia Demokratike, duke dashur të interpretojë deklartatën e Ilir Metës se “nuk mund të pranonte një Rajshtag në Shqipëri”, shprehet se të ‘të gjithë e dinë se me djegien e dyshimtë të Parlamentit gjerman, Hitleri çimentoi pushtetin Nazist pas ardhjes në pushtet, pak kohë para djegies së Rajshtagut’, shkruan PD. Në fund, Partia Demokratike i del në ‘mbrojtje’ Metës, kur shprehet se Komisioni Hetimor është mjet ‘për të mbuluar skandalet e qeverisë’. “Partia Demokratike e konsideron komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit si një mjet për të mbuluar skandalet e qeverisë ilegjitime të Edi Ramës, ndërsa anëtarët e këtij komisioni, personazhe të dosjeve 184 dhe 339, si bashkëpunëtorë të krimit në vjedhjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare”, përfundon deklarata e Bardhit.




Skip to toolbar