Në pritje të Vitit të Ri 2022, gjysmë liria e 31 dhjetorit nën pandemi

AKTUALITET


Një 24 orësh i lirë në vigjilje të Vitit të Ri 2022. Qytetarët shqiptarë presin të festojnë sot ndërrimin e viteve duke uruar për një vit më të mirë njeri-tjetrin.

Ky është viti i dytë që festat zhvillohen nën pandeminë e COVID-19, teksa autoritetet shqiptare kanë vendosur të lejojnë sot qytetarët të festojnë pa kufizim, duke hequr orën policore që është çdo ditë pas 23:00, por duke zbatuar protokollin e masave, distancimin e maskat.

Në kryeqytet do të ketë një koncert me këngëtarët Elvana Gjata dhe Alban Skënderaj në qendër si dhe spektakël fishekzjarrësh, por festime janë planifikuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Në botë 2022 vjen së pari në Zelandën e Re dhe më pas Australi.

Viti i Ri është koha në të cilën një vit i ri kalendarik fillon numërimin. Në shumë kultura, kjo festë festohet në të njëjtën mënyrë. Viti i Ri i kalendarit gregorian, sot në përdorim në mbarë botën, bie në 1 janar, ashtu siç ndodhte edhe me kalendarin romak. Ka kalendarë të shumta që mbeten në përdorim rajonal që e llogarisin Vitin e Ri ndryshe.

Por, përse viti i ri festohet në dimër, në datën 1 janar? Sepse romakët antikë, vazhdonin të festonin vitin e ri në marsin e vonuar, por kalendari i tyre ishte i ‘sinkronizuar’ me diellin. Kështu Jul Cezari, në vitin 46 para Krishtit, krijoi atë që ende edhe në ditët e sotme është i njohur si kalendari Julian, që stabilizonte fillimin e vitit të ri ditën e parë të vitit, pra në një janar. Këtë ditë romakët ftonin miqtë e tyre dhe shkëmbenin dhuratë një vazo të bardhë me mjaltë, dhe gjëra të tjera që ishin urim për fat dhe lumturi. Këtu ekzistonte dhe imazhi i Dea-s, e cila kishte domethënien e fatit dhe të lumturisë. Në shumë vende evropiane, përdornin kalendarin Julian. Ndërsa të tjerët e festonin vitin e ri sipas kalendarit të tyre për shembull në 1 mars (Viti i Ri në Romën Republikane) 25 dhjetor (Krishtlindjet). Vetëm me përdorimin universal të kalendarit Gregorian (nga emri i papës Gregorio XIII, i cili e ideoi në vitin 1582), data e 1 janarit shënon fillimin e vitit të ri duke u bërë një gjë e përbashkët për të tërë.

Data 1 janar është pranuar relativisht vonë në kulturën perëndimore si dita e parë e vitit. Deri në vitin 1751 në Angli dhe Uells (dhe të gjitha zotërimet britanike) viti i ri fillonte më 25 mars. Ndryshimi u bë në vitin 1600 në Skoci.

Me përhapjen e kulturës perëndimore në shumë vende të tjera në botë gjatë shekujve të fundit, kalendari Gregorian është miratuar nga shumë vende të tjera si kalendar zyrtar, si dhe data 1 janar e Vitit të Ri është bërë globale, madje edhe në vende që kanë datën e tyre të fillimit të Vitit të Ri si Kina dhe India.

Ritet, besimet në ditën e pritjes së Vitin e Ri
Natën e ndërrimit të motmoteve gjatë pritjes së Vitit të Ri, popuj të ndryshëm të Botës i karakterizon një spektër i gjerë dhe i larmishëm i riteve, besimeve dhe bestytnive të ndryshme, që janë krijuar si shprehje e dëshirave për: pastrim, largimit të demonëve dhe shpirtrave të këqij, kërkimin e fatit dhe lumturisë, jetës më të pasur dhe më të begatshme…etj. Shumë prej këtyre veprimeve janë të ruajtura dhe kultivohen tradicionalisht edhe sot e kësaj dite.

Tradita kubane për natën e ndërrimit të motmoteve praktikon ngrënien e 12 sardeleve, të një lloji peshku. Besohet se kjo ndikon në rritjen e fatit dhe lumturisë gjatë 12 muajve të vitit të ri pasues. Në Filipine është tejet e rëndësishme që në tavolinën festive familjare gjatë pritjes së Vitit të Ri, të sigurohet sa më shumëllojshmëri ushqimesh. Me këtë akt besohet se viti që vjen do të jetë aq i pasur dhe i begatshëm, sa është e pasur vetë sofra festive e asaj mbrëmjeje.

Në traditën e popujve gati të të gjithë botës fëmijët e lindur më 1 janar, konsiderohen si fëmijët më fatlumë në botë.
Puthja në mesnatë nuk është vetëm shprehje e momentit euforik të kremtes, por ajo shpreh edhe konfirmimin e bekimit të miqësisë dhe të afërsisë me atë person, edhe gjatë 12 muajve të vitit që po na vjen.

Njeriu i parë, i cili do t’u hyjë në shtëpi pasmesnate, besohet se ai gjatë tërë vitit pasues do të jetë një person fatsjellës për ju dhe besnikërisht mund të mbështeteni në të.

Preferohet që ndonjë punë apo veprim që ju ka mbetur në gjysmë ta përfundoni pikërisht në ditën e ndërrimit të motmotëve. Ky veprim do t’u sjellë shumë fat dhe punë të mbarë në të gjitha ndërmarrjet tuaja, gjatë tërë vitit të ardhshëm.

Një tjetër bestytni është ajo se nëse dëshironi që viti i ardhshëm të jetë i lumtur dhe me fat, atë në asnjë mënyrë nuk duhet ta prisni me borxhe. Tentoni që para ardhjes së Vitit të Ri t’i paguani të gjitha borxhet që i keni, sepse kështu viti që vjen do t’u sjellë fillim të mbarë në të gjitha lëmenjtë e jetës.

Të gjithë portofolat tuaj këtë mbrëmje mos i lini të zbrazëta, por i mbushni me monedha, sepse kështu besohet se viti i ardhshëm do t’ju përcjellë më shumë begati dhe pasur.



Skip to toolbar