Sekretari i Përgjithshëm i PS Taulant Balla i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” tha se Shqipëria ka vetëm plan A e nuk ka plan B për rrugën e saj për integrim europian, duke treguar kështu që Shqipëria ishte përgatitur për hapjen e negociatave, ashtu siç ishte premtuar që vitin e shkuar.
“Shqipëria ka vetëm plan A, nuk ka plan B. Ne duhet vetëm të përmbushim standardet që na kërkohet dhe kemi bërë detyrat tona”, tha numri dy i PS, i cili shtoi se beteja më e vështirë ka qenë Gjermania. “Së pari, për mua personalisht por edhe për grupin tim parlamentar dhe për qeverinë e kryesuar nga kryeministri Rama, beteja më e vështirë dhe më kuptimplotë ka qenë Gjermania. Pse? Sepse në fund të fundit, Gjermania ishte i vetmi vend që përfshin një vendimmarrje me parlament. Ju e keni ndjekur, beteja dhe në kuptim të numrave por edhe në nivelin e deklaratave. Në momentin që unë kam qenë i bindur që në maj kur është bërë ajo deklaratë dhe pastaj filloi kristalizimi përmes komunikimeve i vendimeve të tre grupeve politike që mbështetën Shqipërinë, që formësuan atë vendim. Në vlerësimin tim, Bundestagu që padyshim dha një po por edhe një mekanizëm, një matricë detyrash shtëpie që bashkëshoqëruan procesin”, u shpreh Balla në Real Story.