Pas qëndrimit të përsëritur të presidentit të Francës Emanuel Macron për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke theksuar se më parë duhet reformuar BE-ja dhe më pas të bëhet zgjerimi, dhe në prag të hapjes së samitit dyditor të kryeministrave të vendeve anëtare të BE, ka reaguar edhe anëtarja e Parlamentit Europian Tanja Fajon.
Fajon ndërsa publikon në rrjetet sociale një foto me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zaev shkruan se ky është një turp dhe se Macron duhet të zgjohet. Më tej ajo thekson se Shqipëria dhe Maqedonia i kanë bërë detyrat e shtëpisë dhe tani është radha e këshillit të BE për të përmbushur pjesën e tij dhe të çele negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Ky është një turp i madh. Emmanuel Macron, zgjohu! Është koha që BE të tregojë pjekuri dhe përgjegjësi politike! Këta drejtues kanë bërë pjesën e tyre të punës! Tani është radha e Këshillit të Bashkimit Evropian për të përmbushur pjesën e tij dhe më në fund pranojnë të fillojnë bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, shkruan Tanja Fajon.
Thirrja e saj vjen në prag të samitit dyditor të BE, ku temat kryesore të diskutimit pritet të jenë përpjekjet e Britanisë për të qëndruar apo për t’u larguar nga Bashkimi Evropian me 28 anëtarë, operacioni turk në veri të Sirisë dhe zgjerimi i bllokut evropian dhe negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.