Kadare fiton “Nobelin Amerikan”

AKTUALITET


Shkrimtari i njohur Ismail Kadare ka fituar çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë Neustadt, që njihet edhe si Nobeli Amerikan. Megjithëse humbi shancin për të fituar Nobelin që shpërndahet nga akademia suedeze, çmim që këtë vit e fitoi mbështetësi i gjenocidit dhe adhurues i Milloshevicit, shkrimtari austriak Peter Handke, dhe që u kritikua gjërësisht, madje edhe nga kolegët e tij; Kadare ia doli të fitojë atë të quhet si Nobeli amerikan.

“World Literature Today”, revista prestgjoze e Universitetit të Oklahomas për letërsinë dhe kulturën ndërkombëtare, njoftoi se Ismail Kadare është laureati i 26-të fitues i Neustadt 2020, çmim i njohur ndërkombëtar për letërsinë.


Ky është një çmim me vlerën e 50,000 dollarëve amerikanë që i jepet çdo dy vjet një poeti, romancieri ose dramaturgu.

Finalistët për këtë çmim ishin Emmanuel Carrere (Francë), Jorie Graham (Shtetet e Bashkuara), Jessica Hagedorn (Filipine / Shtetet e Bashkuara), Eduardo Halfón (Guatemala), Ismail Kadare (Shqipëri), Sahar Khalifeh (Palestinë), Abdellatif Laabi (Marok), Lee Maracle (Kanada) dhe Hoa Nguyen (Vietnam / Shtetet e Bashkuara).

Ismail Kadare është një nga zërat më të rëndësishëm në letërsinë botërore. I lindur në Shqipëri në vitin 1936, nisi botimin e poezisë dhe fiksionit në vitet 1960 kur Shqipëria ishte nën një regjim totalitar. Novelat e tij te para e madhe janë: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) dhe “Kronikë në Gur” (1971). Për të vijuar më pas me: “Pallati i ëndrrave”, “Prill i thyer”, “Dosja  H” etj. Proza e Kadaresë vlerësohet për poezinë dhe eksplorimin e saj të pashembullt. Puna e  Kadaresë është një testament monumental për vëzhgimin e tij se si “shkrimtari është armiku natyror i diktaturës”. Romanet e tij janë përkthyer në dyzet e pesë gjuhë. Në 2005 ai u nderua me çmimin inaugurues të “Man Booker International” dhe më pas i “Princit të Asturias” (2009) etj. Romani përfaqësues në  çmimin “Neustadt” është “Prill i thyer”.

“Është emocionuese që një grup i tillë me famë i shkrimtarëve të konkurrojnë për Çmimin Neustadt”, është shprehur Robert Con Davis-Undiano, drejtor ekzekutiv i Letërsisë Botërore.

Disa nga emrat që janë vlerësuar me këtë çmim janë, Gabriel Garcia Marquez, Octavio Paz, Giuseppe Ungaretti etj.




Skip to toolbar