Greqia ka shtuar presionin ndaj Shqipërisë, ndërsa vendimi për hapjen e negociatave është shtyrë në tetor, duke i përmendur marrëveshjet mes këtyre dy shteteve, konkretisht për varrezat e ushtarëve grekë dhe për të drejtat e pronës së minoritetit grek.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, gjatë diskutimeve tre ditore në parlament në kuadrin e deklaratave programatike të qeverisë së re, duke folur për përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare ka shprehur pikat kryesore që do të ndjekë Athina zyrtare në politikën e Jashtme, midis të tjerash edhe në lidhje me Shqipërinë.
“Është tashmë fakt”, ka thënë Dendias, “se Shqipëria, nga dy marrëveshjet e rëndësishme që ka nënshkruar me Greqinë në vitin 2009, ka filluar të zbatojë vetëm njërën, madje tani vonë, atë të ndërtimit të varrezave ushtarake për ushtarët grekë, të vrarë në Luftën e Dytë Botërore, ndaj presim zbatimin e saj të plotë”, tha kreu i diplomacisë greke, duke kërkuar nga Tirana, zbatimin e marrëveshjes së dytë, atë të detyrimeve në lidhje me pakicat dhe të drejtat pronësore të Minoritetit Kombëtar Grek.
Për këtë arsye, në kontekstin e hapjes së negociatave të integrimit te Shqipërisë (për të cilat BE-ja ka dhënë kushtëzime të qarta), ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër përmbushjen nga Shqipëria të 5 prioriteteve kryesore. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër dhe me vepra respektimin e të drejtave të njeriut. Për të gjithë qytetarët e saj, përfshirë këtu edhe te drejtat pronësore të pakicës kombëtare greke”, është shprehur Nikos Dendias.
Dendias i është referuar gjithashtu edhe marrëdhënieve me vendet e tjera ballkanike ,midis tyre edhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa ka theksuar se Greqia nuk ka luksin e vendeve të tjera të BE-së, në kuadrin e sigurisë kombëtare duke përmendur sjelljen agresive të Turqisë, së cilës i ka bërë thirrje që nëse kërkon marrëdhënie të sinqerta dypalëshe ato të jenë të bazuara në respektimin e së Drejtës Ndërkombëtare.