Ngrihet “poli i drejtësisë”, kreu i KLP-së: Frytet fillojnë në vjeshtë

AKTUALITET


Tre vite pas miratimit të reformës në drejtësi është përuruar shtëpia e re e drejtësisë. Godina te ish-Fusha e Aviacionit ku do të vendosen administrata e KLP-së dhe KLGJ-së do të quhet “Poli i Drejtësisë”. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë shumë personalitete të huaja dhe shqiptare, mes të cilëve e ngarkuara me punë e SHBA-ve në Tiranë, Leyla Moses-Ones, shefja e ONM-s Genoveva Ruiz Calavera, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonasj si dhe drejtuesit e KLP, KLGj dhe Magjistraturës.

Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi deklaroi në ceremoninë e përurimit të pallatit të ri të drejtësisë se koha e sistemit të vjetër ka përfunduar dhe tashmë do të fillojë një epokë e re që pritet të japë rezultatet duke filluar nga vjeshta.


“Shembujt e parë janë vërtetuar, sidomos për ngritjen e SPAK-ut. Opinioni ka ndjekur procesin. Vetë ne shijuam një proces shembullor që nisi nga parimet dhe rregullat për të zbritur te emrat për të shërbyer. Kandidatë që vlerësohen kundrejt kritereve. Askush nuk mund të pretendojë se tërheq fijet e padukshme të interesave, askush nuk mund të paracaktojë rezultatet. Koha kur vendimet merreshin dhe procedurat kryheshin thjesht për t’i legjitimuar ka mbaruar. Prania e kudo ndodhur e ndërkombëtarëve janë garancia më e madhe dhe e plotë për integritetin dhe suksesin e SPAK. Pavarësisht klimës së mosbesimit, kjo pritje pozitive na motivon për t’i çuar standardet përpara. Së shpejti do të zgjedhim kandidatët për Prokurorin e Përgjithshëm. Të gjithë të barabartë në start të gjithë në vendin e vet në finish. Magjistratët që do të betohen sot janë të ndryshëm nga të tjerët ndër vite. Fara e drejtësisë së re ka zënë rrënjë, frytet po vijnë, ne ju presim besimin dhe durimin për ti shkuar në fund kësaj rruge që kemi nisur” tha ai.

Ndërsa kreu i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi u shpreh në fjalën e tij se studentët do të trefishohen, ndërsa do të japin drejtësi me modelin e ri. “Në tetor jemi gati të presim 65 studentë të rinj në shkollën e Magjistraturës, trefishin e atyre aktual. Shkolla do të duhet të përballet me një numër të konsiderueshëm kandidatësh. Deri tani janë gati për të hyrë në sistem 41 magjistratë të rinj. 16 magjistratë të rinj po përgatiten që të hyjnë në sistem. Magjistratët e rinj do të bëjnë drejtësinë me modelin e ri” tha Sokol Sadushi.




Skip to toolbar